E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg pa afat 28- vjeçares që vrau burrin

Gjykata e Tiranës ka caktuar dje masën e sigurisë për Vitore Suçin, të akuzuar për vrasjen e të shoqit me thikë

TIRANË- Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë arrest me burg ndaj 28- vjeçares Vitore Suçi, e cila katër ditë më parë kreu vrasjen e bashkëshortit të saj Mirash Doda me një thikë buke. Sipas burimeve të gjykatës,vetë 28 vjeçarja ka shprehur pendesë për krimin e kryer, duke justifikuar veprimin me një gjendje të rëndë depresioni, pasi sipas saj, bashkëshorti ushtronte dhunë sistematike ndaj saj. “Kishim disa muaj që ishim martuar. Burri pinte dhe sa herë që vinte i dehur në shtëpi më rrihte. Kështu që nuk durova më, pasi atë ditë erdhi në shtëpi dhe bëmë fjalë për një problem familjarë dhe ai u turr me gur që të më qëllojë. Unë kisha thikën në dorë se po bëja gati darkën dhe e qëllova në trup sapo mu afrua. Goditjet i bëra nga frika dhe pa e shikuar në fytyrë pasi ktheva kokën dhe qëllova me thikë. Pas pak e mora vesh që e kisha qëlluar në zemër dhe burri më vdiq. Jam e penduar për atë që kam bërë, por që gjithçka ka ardhur nga dhuna që ai ushtronte mbi mua”,- tha dje 28 -vjeçarja Vitore Suçi para gjyqtarit. Prokurori i çështjes, pas dëgjimit të fjalëve të 28- vjeçares, kërkoi mbajtjen e saj në burg deri në përfundim të hetimeve. Gjykata i dha të drejtë kësaj kërkese duke lënë 28- vjeçaren pas hekurave të qelisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›