E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekimi i gabuar, prokuroria nis hetimet ndaj mjekëve

Vdekja e Sotiraq Naumit do të hetohet gjerësisht nga prokuroria e Tiranës pasi dyshohet për gabim të mjekëve

TIRANË- Prokuroria e Tiranës fillon hetimet për disa nga mjekët e Spitalit Ushtarak në kryeqytet dhe atyre të Spitalit të Korçës. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës, konfirmuan për “Shekullin” se vetëm dy ditë më parë ka ardhur dosja e policisë mbi vdekjen e shtetasit Sotiraq Naumi në Spitalin Ushtarak nga një infeksion i baktereve në gjak. Ky është konkluzioni i arritur i mjekëve të Spitalit Ushtarak, të cilët edhe pse e kishin identifikuar këtë sëmundje i kanë caktuar pacientit Naumi një kurë ilaçesh, e cila edhe pse është aplikuar për dy ditë me radhë nuk ka bërë asnjë efekt tek përmirësimi i shëndetit të tij. Sipas të dhënave të grumbulluara nga policia me ndihmën e sekuestrimit të kartelës mjekësore të 53- vjeçarit, ka rezultuar se tre ditë pas mjekimit intensiv të marrë në spitalin e Korçës Sotiraq Naumi është sjellë në Tiranë, duke e shtruar në Spitalin Ushtarak të cilët e kanë cilësuar gjendjen e tij, “i vdekur klinikisht”. Pacienti ka qenë i shoqëruar nga një mjek reanimator i spitalit të Korçës, ndërsa është verifikuar në Spitalin Ushtarak se ai ka pasur infeksion të përparuar dhe baktere në gjak. Prokuroria thotë se ky është një përfundim i mjekëve në Tiranë, i cili vë në dukje diagnostifikimin dhe mjekimin e gabuar të pacientit nga mjekët në Korçë, të cilët kanë bërë një analizë gjaku dhe urine për pacientin, por duke mohuar që ai të kishte probleme infektive, madje e kishin kuruar për dy ditë për sëmundje të tjera. Ndërsa, mjekët e Spitalit të Ushtarak janë marrë si të dyshuar për shkak të ndihmës së vonuar të ofruar ndaj 53- vjeçarit Naumi. Në dosje mësohet se është deponuar një denoncim i familjarëve të 53-vjeçarit Sotiraq Naumi si dhe dëshmitë e tyre në lidhje me përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›