Ish-uzina e instrumenteve drejt shkatërrimit të plotë
29/07/2010 Bashkia mban “peng” projektin për kthimin e saj në qendër tregtare, është shndërruar në zonë krimi
KORÇE- Ish- uzina e instrumenteve në Korçë, e cila në kohën e monizmit llogaritej si një nga veprat më të rëndësishme të saj, sot ndodhet në gjendjen më të mjerueshme të mundshme, pasi njerëz të ndryshëm kanë filluar të “rrjepin” prej saj gjithçka mundin. Por edhe pse në këtë gjendje, ajo sërish mbetet me vlera të konsiderueshme ekonomike apo financiare, pasi shtrihet në një sipërfaqe prej 22 mijë metrash katrorë dhe përbëhet nga ambiente të shumta. Megjithatë, nga ana e Bashkisë Korçë ende nuk është vënë në zbatim ndonjë projekt për shfrytëzimin e saj për qëllime të tjera, ekonomike apo tregtare, edhe pse nga ana e drejtuesve të bashkisë është deklaruar se për ish-uzinën e instrumenteve ka një projekt për kthimin e saj në qendër tregtare. Deri më sot një projekt i tillë nuk është parë të vihet në zbatim, ndërsa çmimi i këtyre ndërtesave duket se po bie nga viti në vit. Është e paqartë përse bashkia pret që vlera e saj të shkojë në zero, dhe pas kësaj të nisë nga zbatimi i projektit për shndërrimin e saj në qendër tregtare. Veç sa më sipër nga ana e titullarëve të Bashkisë Korçë nuk është bërë asnjë përpjekje, qoftë edhe për dhënien e saj me qira.
Këshilli Mbikëqyrës
Për të gjitha arsyet e mësipërme dhe me synimin për të ndalur shkatërrimin e mëtejshëm të kësaj uzine Këshilli Mbikëqyrës pranë Bashkisë Korçë ka bërë të gjitha përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje, por deri më tani nga ana e titullarëve të bashkisë nuk është zgjuar asnjë lloj interesi. Arjana Pupa, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës, tregon se këto lloj përpjekjesh kanë filluar që nga viti 2007, pasi në atë kohë ishte deklaruar se ish-uzina do të kthehej në qendër tregtare, por edhe pse u kryen të gjitha procedurat, në realitet nuk ndodhi asgjë, madje as për dhënien me qira të saj. Të gjendur në këto kushte këshilli në fjalë bëri edhe disa tentativa të tjera për nxjerrjen e uzinës nga kjo situatë, por sërish përpjekjet tona rezultuan të dështuara. Sërish para dy muajsh, theksoi anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës Arjana Pupa, ky këshill doli me një material dhe iu referua asamblesë duke u mbështetur te ligji 9901 që flet për tregtarë dhe shoqëri tregtare, ku kjo e fundit (asambleja) vendosi që të rifillonin edhe një herë nga e para procedurat për dhënien me qira. Por edhe pse u bë përsëritja e procedurave deri në këto momente që flasim nga ana e Bashkisë Korçë nuk ka asnjë tentativë për shpalljen e procedurave, çka tregon se do të ndodhë e njëjta gjë si më parë.
Qendër kriminaliteti
“Nëse përsëri nga ana e drejtuesve të bashkisë do të ketë indiferentizëm tha Pupa, atëherë është e sigurt që kjo ish- uzinë do të shkojë drejt shkatërrimit të plotë. Tashmë çdo banor i Korçës është dëshmitar se si ish-uzina e instrumenteve po shkatërrohet nga dita në ditë. Aktualisht njerëzit nuk po vjedhin vetëm dyert, dritaret dhe materialet prej hekuri të saj, por kanë filluar të grabisin edhe materiale inerte, të cilat sigurisht do të përshpejtojnë rrënimin e saj. Jemi dëshmitarë të gjithë që kjo ish-uzinë po shkatërrohet nga dita në ditë”. Ndërkaq, banorë që jetojnë pranë kësaj ish-uzine tregojnë se, “gjatë natës ish-uzina bëhet strehë e njerëzve të ndryshëm, e personave të mbetur të pastrehë apo edhe e njerëzve të droguar. Nëse do të lihet në këtë gjendje, atëherë kjo ish-uzinë që nuk po kthehet në qendër tregtare apo të jepet me qira, ka shumë mundësi që të kthehet në një qendër kriminaliteti, sepse aktualisht aty strehohet edhe një familje, (nuk dihet për çfarë arsyesh), e cila është e pambrojtur nga askush”, shprehen banorët që jetojnë pranë saj.