Preç Zogaj: Më vjen keq që tranzicioni nuk po kthehet në histori
Pasi ia ka matur pulsin lexuesit, duke ia servirur një nga një, tanimë i sjell në një përmbledhje, të cilën kushdo mund ta ketë në bibliotekë, si dëshminë e një njeriu, që e ka jetuar vetë historinë. “Intuicionet e tranzicionit”, titullohet përmbledhja e me esse e shkrimtarit Preç Zogaj, e cila u prezantua dje në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, logon e të cilit mban ky botim. Ky botim, ideuar nga Henri Çili, është përmbledhje e disa prej librave me esse politike të Zogajt, që do të pasohet nga një vëllim i dytë me të tjera esse, që dëshmojnë për tranzicionin 18-vjeçar në Shqipëri. Për të marrë pjesë në këtë “festë të librit”, siç do ta quante Zogaj, kishin ardhur shumë miq të autorit, politikanë, publicistë e studentë. Nuk munguan mes tyre edhe protagonistë të këtyre veprave, si politikani Neritan Ceka, apo kreu i opozitës, Edi Rama. Duke falënderuar të pranishmit, Zogaj tha se kishte ftuar në këtë ceremoni modeste edhe shumë protagonistë të tjerë, por sipas tij ka disa: “Që vlerësojnë më shumë rrogën se historinë, e të tjerë që vlerësojnë kredon e idealit”. Jo pa humor ai tha se në promovimet e tij i shkojnë vetëm drejtuesit e opozitës. Autori nuk mund të mos ndante me të pranishmit edhe shqetësimin që ndjeu teksa iu rikthye sërish veprave të tij. “Iu riktheva teksteve të mia pas 14 vjetësh dhe ju them se konstatova pa gëzim që tranzicioni shqiptar nuk po bëhet dot histori, është aktualitet”, tha Zogaj, duke shtuar se vazhdojnë të mbeten të njëjtat problematika, i njëjti konfliktualitet e të njëjtat kurthe. Për administratorin e UET, librat e Zogajt i vlejnë jo vetëm studentëve. Sipas tij, Zogaj është një ndër 4-5 persona që e kanë parë dhe e kanë bërë tranzicionin dhe librat e tij janë tepër të vlefshëm për historinë. Në vëllimin e parë, të titulluar “Intuicione të tranzicionit” janë përfshirë 4 libra të autorit “Rënia e zgjedhjeve”, “Vera e përjetshme”, “Uncivil war - Lufta jocivile” dhe “Paradhoma e një presidenti”. Në vëllimin e dytë, që pritet të dalë së shpejti do të përfshihen veprat “Nga hiri”, “Finalja” dhe një libër i tretë që autori e ka përfunduar këto ditë si dorëshkrim dhe po përgatitet për botim. Është në vazhdën e kolanës dhe pasqyron momentet më kulmore të jetës politike, institucionale dhe shoqërore në Shqipëri, nga viti 2005-2009. ndonëse një nga protagonistët e politikës në këtë 18 vjetësh tranzicioni, Zogaj përpiqet të ngrihet mbi subjektivizmat e të vendoset më shumë në pozicionin e gazetarit. “Janë esse-të më spontane, të shkruara me sinqeritetin e njeriut që nuk ka kohë dhe luksin të ulet në tryezë”, u shpreh Preç Zogaj, me shpresën që në librat e tij, lexuesi të gjejë ngjarjet që kanë ndodhur me të vërtetë.