E Diel, 1 Nëntor 2026

Çuli: Teatri Kombëtar, peng i idhujve pa lavdi

 

Alma Mile

Atij i vjen paksa keq që ajo kohë perlash nuk kthehet më. Nuk ka më Molier, apo Goldon, por ama ka Mirandolinë, Koprac... Mes këtyre personazheve, Hervin Çuli ndihet mëse komod. Sipas tij, nuk mund të ketë më me stil e më modernë njëkohësisht. Prej disa ditësh regjisori po shijon punën e tij 3 vjeçare mbi komedinë “E zonja e bujtinës” së Carlo Goldonit, që po shfaqet në skenën e Teatrit të metropolit. Vepra u prit shumë mirë nga spektatori dhe pavarësisht se ka dhënë disa shfaqje rresht, interesi vazhdon të jetë i lartë. Përmes lojës së aktorëve Eni Jani, Fatos Sela, Genc Fuga, etj., ai sjell një përplasje gjinore, që në të vërtetë është një luftë shekullore që nuk ka për të pasur ndonjëherë fitues. Por Çuli na e sjell në një mënyrë gazmore, të gjallë, të lëmuar deri në imtësi, çka e ka bërë për vete publikun. Tanimë, më i çliruar nga puna e gjatë dhe pritja e spektatorit, regjisori tregon arsyet pse e zgjodhi këtë vepër, këtë kast aktorësh, por edhe për planet e tij të afërta, për ngritjen e një kompanie teatrore private. Nuk mund të rrijë pa përmendur edhe gjendjen e Teatrit Kombëtar, ku ai punonte deri pak kohë më parë.
Pyetja e parë që të vjen natyrshëm, është përse zgjodhët “Të zonjën e bujtinës”, çfarë ju erdhi në mendje menjëherë?
Zgjodha Goldonin në fakt, jo “Zonjën e bujtinës”. Nga veprat e Goldonit, të cilat i dua shumë të gjitha, zgjodha “Të zonjën e bujtinës”. Mund të kisha marrë edhe “Shërbëtorin e dy zotërinjve”, por u fokusova këtu, se “Mirandolina” është më pranë shijeve të publikut shqiptar. Them se përballja ndërmjet dy sekseve është shumë atraktive për shqiptarët. Këto besoj se janë arsyet pse zgjodha “E zonja bujtinës”.
Nuk është hera e parë që vini në skenë një shfaqje me “kostume”, ç’është kjo “tendencë” juaja?
E kam thënë edhe gjetkë, se kjo epokë Goldoniane apo Molieriane më tërheq shumë. Shijet e mia për jetën, për dashurinë, për lirinë, për të bukurën i afrohen shumë kësaj epoke. Dhe për të shtuar dashurinë time për epokën, shërben edhe teatri i atyre viteve, që përfaqëson në historinë e teatrit botëror një nga kulmet e suksesit teatral. E pra, tekste më me shije, më edukative, më mjeshtërore, nuk mund të krijojë më “fatkeqësisht” mëma e bukur natyrë... 
Nuk mendoni se janë disi të rrezikshme këto vepra (shkruar në një kontekst të caktuar, pastaj me kostume, paruke...), pasi duhet të gjesh edhe çelësin që të çon tek bashkëkohësia?
Përkundrazi, janë më të thjeshta pasi çelësin e kanë të varur në derë, duke të pritur me madhështinë e tyre. Nuk besoj që sot shkruhen vepra më moderne se sa p.sh: “Mirandolina”. Madje, besoj se më bashkëkohore janë këto mrekulli të 1700-ës se sa ca çudira abstrakte të ditëve tona, të mbushura me budallallëqe dhe snobizma...
Ishte punuar me detajin deri në imtësi, sa ju është dashur të gërmoni, të lexoni, që gjithçka të arrinte perfeksionin?
Padyshim që kam punuar rreth 3 vjet me veprën, herë në letër, e herë pas here me mendje. Kam qenë tendencioz për të operuar me detajin në këtë vepër, pasi e them me bindje se qëmtimi i tij, loja me elemente pantomimike, simbolikat e vogla rekuizite, të shtjelluarit deri në fund të situatave me elemente psiko-fizike, janë ato që i mungojnë teatrit provincial shqiptar. Kam hetuar shumë në kohë mbi zakonet e kalorësve, veset e tyre,virtytet e tyre dhe mbi të gjitha “formën” që i shoqëronte. Në atë periudhe forma e të shprehurit të gjithçkaje ishte po aq e rëndësishme sa edhe përmbajtja e asaj që artikuloje... Madje, shpesh herë stili ish më dominant se përmbajtja...
Keni zgjedhur një staf aktorësh relativisht të ri, ka një arsye pse dhe a nuk është ca e guximshme kjo?
Jo! Përkundrazi është shume e bukur të drejtosh një staf aq të freskët dhe me aq energji, me në krye një aktor të madh si Fatos Sela. E them me bindje, që këta dhe të tjerë të rinj, janë ata që do të më shoqërojnë në të gjitha aventurat e mija artistike, që do pasojnë. Mjaft më me idhuj pa lavdi, që i ka krijuar artificialisht realizmi socialist dhe që mbajnë peng Teatrin Kombëtar. Sot jemi në momentin për të ndërtuar një frymë të re në skenën shqiptare, duke u shkëputur sa më shpejt të jetë e mundur nga shijet e rëndomta që kanë marrë peng institucionin më të rëndësishëm të skenës shqiptare.
Sa ju ka “kufizuar” në idetë tuaja hapësira e skenës, apo atë e kishit parasysh qysh në fillim dhe e ndërtuat mbi të?
Padyshim që skena e “Metropolit” është pak më e vogël se sa hapësira që kërkon “Mirandolina”, megjithatë unë me aktorët jemi përpjekur që këtë vështirësi ta kthejmë në avantazh, duke punuar më shumë dhe më ne imtësi.
Pasi vepra është shfaqur disa herë, ju po korrni edhe frytin e punës suaj, e prisnit këtë reagim kaq të ngrohte nga publiku?
Them se po edhe pse dyshimi për dështimin jeton bashkë me ty dhe e bën më ndjellëse sfidën. Kisha një bindje që vepra është shumë familjare dhe provokative dhe do të “ngjiste” me publikun shqiptar.
Meqë jeni një nga regjisorët më punëtorë, por edhe të guximshëm, mund të dimë projektin e radhës?
Ndofta projekti im i radhës do të jetë një kompani e mirëfilltë private teatrore, që do të përfshijë të gjithë ata të rinj, që ndajnë të njëjtën ëndërr me mua për teatrin... Veprat konkrete do të jenë fryt edhe i diskutimeve me të gjithë ata që do t’i bashkohen kësaj aventure.
Do të kishit një koment për atmosferën teatrore në kryeqytet?
Për këtë mjafton t’i hidhni një sy Teatrit Kombëtar këtij institucioni të plakur, që vazhdon të na trishtoje çdo ditë me impotencën e tij artistike dhe menaxhuese. Mjafton t’ju them se në teatër ka rreth 40 aktorë, disa prej të cilëve kanë mbi 20 vjet që nuk luajnë asnjë rol dhe përsëri vazhdojnë të paguhen nga taksapaguesi shqiptar. Mjafton t’ju them se në teatër janë emëruar njerëz në emër të njohjes me politikën, pa asnjë kontribut artistik, apo menaxhues. Mjafton t’ju them se drejtuesi i shkretë i këtij tempulli të kulturës është emëruar në këtë post nga miku i tij Bujar Leskaj, sepse ka bërë një rol, ku zbret shumë bukur nga kali dhe se ka fatin e madh që përveç dialektit vlonjat nuk flet asnjë gjuhë të huaj... Këto besoj se mjaftojnë për të kuptuar se në çfarë derexheje është katandisur TK.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›