E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga evropiane dhe politika e rrugës

Dr. Selami Xhepa 

Në pranverën e vitit 1996, po i thoja një mikut tim, i sapo zgjedhur deputeti i PD-së nga votimet e majit që po të isha në vend të tij nuk do ta pranoja mandatin e deputetit. Arsyeja ishte e thjeshtë: ndërgjegjja qytetare dhe përgjegjësia publike nuk mund të toleronte citimet therëse dhe kritike të komunitetit ndërkombëtar dhe arbitrit të procesit zgjedhor, OSBE-ODIHR, në raportin përfundimtar vlerësues të procesit zgjedhor.  Mu kujtua kjo ngjarje se vazhdimisht dhe çdo ditë e më shumë, disa eksponentë (kobndjellës) të Partisë Socialiste, po bëjnë paralelen e viteve 1996-‘97, duke ndjellë gjëmën në këtë vend, ku fara tashmë e mbjellë e Evropës ka mbirë dhe pret të rritet, po ku rreziqet që ajo të rritet me shpejtësi dhe e shëndetshme, akoma janë të shtuara.
Këshillën që i dhashë mikut tim sigurisht që nuk do ia falja vetes të mos e ndiqja, nëse do të ishim realisht në kushtet e sipërpërmendura. Sikur, qoftë dhe një raport i ndonjë organizate ndërkombëtare apo kombëtare, edhe sikur një deklaratë e vetmuar e ndonjë lideri politik botëror po të ishte dëgjuar se rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 ishte i manipuluar dhe se zgjedhjet janë të papranueshme për familjen e kombeve evropiane, do të isha ndër, ndoshta shumë deputetë të tjerë demokratë, që mund të kishim vënë në dyshim marrjen e mandatit të përfaqësimit e mbase dhe nuk do të ishim sot në Kuvendin e Shqipërisë. Por, unë dhe miqtë e mi deputetë nuk kemi asnjë arsye, as edhe më të vogël, të ndjehemi keq dhe në faj që ndodhemi në sallën e Kuvendit. Sepse i vetmi zë që vazhdon të kundërshtojë procesin dhe rezultatin (megjithëse natën e 28 qershorit, si asnjëherë në historinë e pluralizmit tonë politik dhe për kënaqësinë e të gjithë shqiptarëve, socialistë, demokratë e të gjithfarësoj bindjesh politike, procesin e përshëndetën të dy liderët pretendentë për pushtet), vazhdon të jetë kryetari i opozitës dhe një pjesë e establishmentit të Partisë Socialiste (të mos zëmë me gojë ata që vota popullore i la jashtë politikës), që me çdo kusht kërkojnë të njollosin legjitimitetin e Parlamentit dhe të institucioneve demokratike të vendit. Zoti Rama kërkon “me çdo kusht dhe me çdo çmim” (shprehje që i gjen vetëm në veprat e Leninit mbi revolucionin) të hapë kutitë e votimit, të mbyllura ligjërisht dhe pa asnjë kontestim nga numëruesit socialist e demokrat, të ndarë në mënyrë të barabartë në çdo qendër votimi e zonë numërimi. Prandaj, kur kërkon hapjen e kutive, së pari zoti Rama duhet të kërkojë ndëshkimin publik, moral dhe ligjor të së gjithë atyre që ai dhe socialistët i zgjodhën që të jenë gardianë të votës socialiste. Në demokraci përgjegjësia është personale dhe secili ndëshkohet për fajet e kryera; fajet personale nuk mund të mbajnë peng fatet e demokracisë së një vendi të tërë. Ligjërisht, zoti Rama ka mundësinë dhe shansin të demonstrojë se i njeh rregullat e lojës demokratike, se di të respektojë shtetin ligjor dhe pavarësinë e institucioneve, edhe pse ato mund të mos jenë të përsosura e të përkryera.
Si demokrat do të isha ndjerë keq nëse do të kisha gëzuar më shumë privilegje gjatë fushatës elektorale, nëse do të kisha shfrytëzuar në mënyrë përfituese e abuzive pushtetin ekonomik, financiar e policor, siç ka ndodhur rëndom në të gjitha fushatat elektorale pararendëse, kur kundërshtarët politikë janë marrë peng edhe nga vetë shteti. Do të isha ndjerë keq, nëse kundërshtarit tim politik do t’i ishte privuar qoftë edhe një aktivitetet elektorale për shkak të dhunimit të tij nga pushteti; nëse mbyllja e kutive e numërimi i tyre do të ishte bërë në mënyrë konspirative, pa praninë e mediave e vëzhguesve, partiakë e të pavarur, apo që kutitë të ishin mbyllur më forcë, pa miratimin e të gjithë komisionerëve dhe pa u bërë transparente në mënyrë vizuale për gjithkënd të pranishëm, duke shmangur edhe ndonjë mundësi për të blerë dhe shitur komisionerë. Këto rreshta po i shkruaj si person që i përjetova vetë këto procese, si pjesëmarrës dhe si protagonist, dhe në asnjë rast dhe asnjë rrethanë nuk ka pasur devizë më të rëndësishme se sa “për Partinë Demokratike ka më shumë rëndësi procesi se sa rezultati”, pasi një gjë e tillë lidhej me fatet evropiane të vendit tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.
Si vallë atëherë arritëm në këtë pikë, ku të gjithë mësuesit na vlerësuan pozitivisht, ndoshta jo me notën shkëlqyeshëm, por që sigurisht me një notë shumë më të lartë se nota më  e vogël kaluese, ndërsa disa “socialist demokrat puritan dhe mishërues të së vërtetës dhe trashendencës” po e baltosin dhe nxijnë pa mëshirë një prej institucioneve themelore të demokracisë, institucionin e votës?
Pushteti është një privilegj që të jepet në jetë për t’i shërbyer vendit tënd, për ta çuar vendin një hap më pranë vendeve më të zhvilluara dhe kombeve demokratike, për t’i shërbyer fëmijëve tanë dhe brezave pasardhës. Sigurisht që ky është një mision fisnik dhe i përkryer e që ndoshta morali i njollosur i politikanëve (ku fatkeqësisht vetë politikanët e kanë ushqyer me apo pa të drejtë një imazh të tillë) e zhvirgjëron nocionin e fisnikërisë. A ka njeri mbi tokë që do ta besonte se zoti Rama e bën thjesht dhe vetëm për fisnikërinë e demokracisë shqiptare këtë luftë të paprinciptë bojkotuese? A mundet të ketë mbetur ndonjë qytetar në Tiranë dhe në Shqipëri që nuk i ka mësuar të bërat dhe të pabërat e kryebashkiakut dhe kryeopozitarit tonë? Siç e thoshte këto ditë dhe z. Kasmi në një shkrim të tijin tek “Panorama”, këto janë kauza të vogla, të pamoralshme dhe që po shiten në emër të moralit të lartë.
Në vitin 1996 Shqipëria e humbi shansin e saj që të ishte i pari vend i Evropës Juglindore të ishte vend anëtar i Bashkimit Evropian, pasi ne ishim vendi i vetëm nga rajoni që kishte filluar zyrtarisht një proces negociatash për një marrëveshje anëtarësimi. Ky shans, me apo pa të drejtë, vetëm historia do ta provojë të vërtetën, iu faturua Partisë Demokratike. Ndërsa sot sërish vendi është në prag të ndryshimit të kursit të historisë së saj, atë të fillimit të negociatave për anëtarësimin e plotë dhe të liberalizimit të vizave të qytetarëve shqiptarë. Nëse kjo po vihet realisht në rrezik, tashmë nuk ka dyshim se historia do të njoh vetëm një fajtor: qëndrimet e padrejta, ekstreme dhe të pamoralshme të liderit të Partisë Socialiste. Socialistët kanë rastin e papërsëritshëm të ndihmojnë vetveten dhe vendin e tyre, duke ndëshkuar sjelljen e udhëheqësit të tyre, sepse historia do të na ndëshkojë të gjithëve nëse nuk i vëmë fre ambicieve të paskrupullta dhe pasioneve kombpërçarëse të politikave dhe politikanëve të dhunës dhe konflikteve.

*Deputet i PD

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›