E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg pa afat vrasësit të 9-vjeçarit

Makina ku u vra 9-vjeçari

Gjykata e rrethit gjyqësor të Kurbin ka marrë vendim për masën e arrestit burg pa afat për Ditmir Shkretën, njërin prej vëllezërve të arsetuar për vrasjen e 9-vjeçarit Indrit Llana. Ndërkohë, vëllai i tij, Altin Shkreta, vazhdon të jetë i shpallur në kërkim.

Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës kanë bërë të ditur se një ditë më parë, uniformat blu kanë arrestuar edhe kushëririn e autorëve të vrasjes, Fabian Shkretën. Ky i fundit është gjykuar këtë të premte nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprat penale Moskallëzim krimi dhe Fshehje të provave.

Autori i vrasjes si dhe kushëriri i tij janë dërguar për masën e sigurisë në burgun e Shënkollit.
Policia vazhdon operacionet për kapjen e bashkëautorit të vrasjes, Altin Shkreta.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pikërisht tri ditë më parë, ku vëllezërit  Shkreta i dolën në pritë Muharrem Llanit, duke qëlluar me breshëri në drejtim të automjetit të tij, në momentin që ai po lëvizte për në fshatin Shpërdhet së bashku me kunatën dhe nipin 9-vjeçar.

Plumbat e derdhur mbi automjet nuk kursyen jetën e vogëlushit, ndërsa 62-vjeçari Muharrem Llani ka mbetur i plagosur rëndë. / L. Kokaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›