Rrëshen, shoqata e të verbërve në protestë

Protesta
Shoqata e të verbërve në Mirditë ka zhvilluar një protestë në sheshin kryesor të qytetit Rrëshen, duke kundërshtuar me forcë ndryshimet ligjore që u bënë për këtë kategori. Sipas tyre qeveria aktuale ka ndryshuar ligjet për personat me aftësi të kufizuar duke u mohuar atyre shumë të drejta.
Ndryshimet ligjore bënë që likuidimi i faturave të energjisë elektrike, komunikimit telefonik dhe transportit të eliminohen për këtë kategori duke rritur pabarazinë dhe thelluar përjashtimin shoqëror të personave me aftësi të kufizuara. Bardhok Kacorraj, kryetar i shoqatës së të verbërve në Mirditë ka deklaruar se nuk kërkojmë lëmoshë por respekt e dashuri, kërkojmë të drejtat që na i kanë dhënë me ligj dhe tani na i mohojnë.
Folësit e shumtë të verbër u shprehen se ndihen në vështirësi të jashtëzakonshme për të përballuar jetën bashkë me familjet e tyre.
Pjetër Biba, me shikim të humbur tërësisht, tha se ndihemi të përbuzur nga administrata shtetërore, askund në Mirditë nuk sheh të verbër të punësuar edhe pse me pasion e sakrificë jemi përshtatur me shkollimin tonë qoftë me njohuritë për fusha të caktuara dhe teknologjinë moderne.
A. Picaku, që kishte ardhur me fëmijën 5 vjeç në karrocën e invalidit, thotë se unë jetoj me gruan dhe dy fëmijët pa shtëpi dhe katandi, ilaçet e fëmijës së vogël që e kam me humbje shikimi, sëmundje zemre dhe epilepsi, ia blej vetë, pasi askush nuk më rimburson. Kam një fëmijë tjetër për ta operuar por nuk e bëj dot. Tani na duhet të përballemi dhe me ligjin e ri i cili na shkatërron tërësisht.
Janë rreth 160 të verbër të listuar në Mirditë që kush me pak e kush më shumë jetojnë në hall të tejskajshëm, të verbrit e zonave për halle ekonomike dhe mungesë shoqëruesish nuk mundën të zbrisnin për grevë, por kanë apeluar kryetarin e shoqatës ta ngrejë zërin e tyre para qeverisë.
Protesta të tilla do të mbahen në të gjitha qytetet e vendit, duke kundërshtuar fort ndryshimet e bëra në status nga qeveria. Madje shoqata kombëtare e të verbërve do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar dy ligjet e integruara, që shfuqizojnë statuset e veçanta.
Vendimi që hyri në fuqi me 1 prill përjashton këtë shtresë nga asistenca sociale, pasi si të tillë qeveria llogarit pagesën mujore të invaliditetit, apo koston e udhëtimit dhe telefoninë. /Gjergj Marku/