E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg për pengim të zgjedhjeve e trafik votash

22/02/2012  Mazhoranca dhe opozita vijojnë bashkëpunimin për ndryshimin e Kodit Penal

PD e PS miratojnë me konsensus penalizimet për dëmtimin e procesit zgjedhor

Kushdo që ushtron dhunë apo pengon me çdo mënyrë tjetër kandidatin apo një parti politike për të zhvilluar fushatën zgjedhore, do të dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet. Është ky një nga ndryshimet e reja në Kodin Penal, që u miratua me konsensus nga mazhoranca dhe opozita në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Gjithashtu falsifikimi, shpërndarja ose përdorimi i fletëve të votimit, i dokumenteve dhe materialit zgjedhor me qëllim ndryshmin e rezultatit të zgjedhjeve nëpërmjet paraqitjes në to të të dhënave që dihen se janë të pasakta, zëvendësimi i të saktave me të rreme, futjes në kuti të fletëve të votimit në mënyrë të paligjshme dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Ndërsa kur kjo vepër kryhet nga personat që kanë për detyrë të administrojnë procesin zgjedhor, ose kanë sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e votimit, kanë cenuar integritetin e rezultatit të zgjedhjeve apo kanë sjellë pavlefshmërinë e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Ndryshim tjetër ka pësuar edhe neni 326/a, i cili lidhet me dëmtimin me dashje të materialit zgjedhor. Sipas këtyre ndryshimeve, “dëmtimi, prishja, shkatërrimi me dashje apo zëvendësimi në kundërshtim me ligjin i pajisjeve, vulave, kodeve të sigurisë pajisjeve apo çdo materiali tjetër zgjedhor të parashikuar nga ligji dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet”. Ndërsa kur vepra kryhet nga personat përgjegjës për administrimin zgjedhor ose në bashkëpunim, ose më shumë se një herë, apo kur kanë sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, kanë sjellë pavlefshmërinë e tyre apo kanë cenuar rezultatin e votimit, dënohen me burgim nga tre deri në tetë vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në shtatë qind mijë lekë. Deputetët vendosën unanimisht që, kur shkelen rregullat që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj deri në dy vjet. Ndërsa për ata shtetas që votojnë më shumë se një herë në të njëjtat zgjedhje, votimi për persona të tjerë duke paraqitur dokumente identifikimi të rremë apo duke përdorur dokumente të zgjedhësve të tjerë, do të dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Lejimi me dashje i kryerjes së kësaj vepre nga komisionerët zgjedhorë dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Kurse detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në aktivitete elektorale të një subjekti zgjedhor, i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë a funksion në arsimin jopublik, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj deri në një vit. Ndërsa kur kjo vepër kryhet më shumë se një herë, ndaj më shumë se një zgjedhësi apo kur kryhet nga komisionerët zgjedhorë, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Ryshfetet e premtimet

Ndërsa lejimi me dashje nga komisionerët zgjedhorë i votimit pa kryer identifikimin e shtetasit sipas ligjit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj deri në një vit. Premtimi elektoral, kur është i tepruar, mund t’u kushtojë deputetëve ose kandidatëve për deputetë dënimin me burg. “Ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar pro ose kundër një subjekti zgjedhor ose kandidati apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në dy vjet. Pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve dhe favorizimeve të tjera për të kryer veprimet e mësipërme përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë” - janë disa ndryshime të tjera në Kodin Penal.

Kanosja e zgjedhësit

Të gjithë ata që do të ushtrojnë dhunë mbi zgjedhësit do të dënohen me burg. “Kanosja që i bëhet zgjedhësit për të votuar pro ose kundër një subjekti politik ose kandidati si dhe për të marrë pjesë ose jo në votime përbën kundërvajtje penale dhe dënohet nga tre muaj deri në dy vjet. Kanosja, përdorimi i dhunës ose dhe çdo veprim tjetër i paligjshëm që i bëhet kandidatit, komisionerit, vëzhguesit, numëruesit si dhe çdo zyrtari tjetër të ngarkuar me zgjedhjet për ta penguar në kryerjen e detyrës apo për shkak të veprimtarisë së tij në administrimin zgjedhor dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet”, - thuhet në nenin 329 sipas ndryshimeve të reja.

Braktisja e detyrës

Braktisja e detyrës apo refuzimi për të kryer detyrën pa shkaqe të ligjshme nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve ose anëtarët e grupeve të numërimit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga 6 muaj deri në dy vjet. Deputetët e Komisionit të Ligjeve vendosën që kur veprimet e mësipërme kryhen duke marrë me vete në kundërshtim me ligjin a duke zhdukur materialet zgjedhore, ose kur kanë sjellë pasoja të rënda për procesin e votimit apo kanë çuar në pavlefshmërinë e zgjedhjeve, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Ndërsa detyrimi i shtetasve nën varësi administrative, kundër vullnetit të tyre apo nën kanosjen e përdorimit të masave administrative për të marrë pjesë në aktivitete zgjedhore të një subjekti zgjedhor përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Ligjet shqyrtojnë sot amendamentet për penalizimin e terrorizmit

Deputetët e Komisionit të Ligjeve debatuan mes tyre në lidhje me disa amendamente në Kodin Penal për terrorizimin, shqyrtimi i të cilave u shty për në mbledhjen e sotme. Debati ishte nëse duhej marrë parasysh një nen i rifomuluar së fundi sipas sugjerimit të Komitetit të Antiterrorizmit në Kombet e Bashkuara, apo sipas variantit fillestar të sugjeruar nga OPDAT-i, misioni amerikan për drejtësinë në Shqipëri. Sipas variantit të ri, vepër penale do të konsiderohen të gjitha aktet me qëllim terrorizmin dhe aktet drejtuar civilëve, pavarësisht se mund të bazohen në shkaqe politike, filozofike, ideologjike, raciste, etnike, fetare apo të një natyre të njëjtë. Gjithashtu vepër terroriste sipas variantit të ri do të konsiderohet dhe “çdo vepër që synon të shkaktojë vdekjen ose plagosjen e rëndë apo pengmarrjen, si dhe çdo vepër që synon të provokojë një gjendje tmerri në publik ose në një grup personash apo persona të veçantë, për të intimiduar një popullatë apo për të detyruar një qeveri apo organizatë ndërkombëtare të ndërmarrë apo mosndërmarrë një veprim”. Drafti i ri parashikon që veprat penale me qëllime terroriste të dënohen me burgim jo më pak se 15 vjet deri në dënim të përjetshëm. Ndërkohë kanë mbetur ende pa u diskutuar disa amendamente nga mazhoranca, opozita dhe shoqëria civile për dhunën në familje, si dhe disa propozime delikate të bëra publike nga opozita, që kanë të bëjnë me hetimin e zyrtarëve të lartë pas lënies së detyrës, por që ende nuk janë depozituar zyrtarisht në Komisionin e Ligjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›