E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cikli i Interit mbaroi kur iku Eto!

Do ta shohë në televizor me pak ankth. Tiago Mota, i cili është përshtatur me personalitet dhe natyrshmëri perfekte në rolin e udhëheqësit të mesfushës të caktuar nga Karlo Ançeloti te Paris SG, nuk e fsheh frikën për ndeshjen e 1/8-ave të Championsit mes Marsejës dhe Interit, skuadër të cilën e braktisi në janar. Një lamtumirë e ardhur kundër dëshirës së Klaudio Ranierit dhe që, ka korresponduar me kolapsin e zikaltërve, të cilët pa italo-brazilianin nuk kanë arritur më të fitojnë.

Për Motën, Interi duhet të ketë kohën e nevojshme për të programuar një ndryshim rrënjësor. Por, pranon gjithashtu se të ndryshosh Interin nuk është aq e thjeshtë. Ndoshta, për këtë arsye ka zgjedhur të ndryshojë ambient, duke u transferuar në Ville Lumière.

Çfarë ndeshjeje do të jetë kundër Marsejës?

E vështirë, sepse në këtë përballje do të jetë një skuadër që po kalon një moment të mirë, e fortë fizikisht dhe me sulmues të kualitetit të lartë. Por, besoj se në historinë e Interit ka patur edhe më parë të tilla situata të rënduara.

Çfarë prisni ju?

Në të kaluarën, Interi ka mbërritur përpara ndeshjeve të rëndësishme në momente pothuajse të vështira, për të zhvilluar më pas një ndeshje të mirë duke marrë edhe rezultat. Nuk do të jetë e lehtë, por besoj se Interi mund tia dalë.

Pra, mund të ketë ndonjë efekt Championsi?

Të paktën e shpresoj, sepse në kampionat do të jetë e vështirë për ta, që të kualifikohen në Championsin e sezonit të ardhshëm. Kjo, jo vetëm sepse Interi nuk është mirë, por edhe për shkak se janë disa skuadra të tjera si Milani, Juventusi etj të cilat po luajnë shumë më mirë. Nuk do të jetë e lehtë ndaj Marsejës, por kualifikimi për në çerekfinale mund të jetë i rëndësishëm për moralin.

Didië Deshamp thotë se PSG-ja i ka bërë një favor Marsejës, duke blerë Tiago Motën. Pa të, Interi ka pësuar një kolaps.

Nuk besoj se varet gjithçka nga shitja ime. Mendoj se Interi është mësuar të luajë me një mënyrë loje dhe se këtë vit, ky tip loje nuk arrin të surprizojë askënd.

Pse?

Interi është shumë i fortë në kundërsulm dhe kur mbyllet në mbrojtje e bën në mënyrë kompakte, për të shkaktuar dëme më pas me kundërsulm. Tashmë, skuadrat që përballen me Interin kanë tendencë ta presin Interin në mbrojtje dhe ta kundërsulmojnë, duke e vënë në vështirësi skuadrën.

A ka patur shenja paralajmërimi, përpara largimit tuaj?

Mendoj se shitja e Samuel Etosë e ka goditur vërtet skuadrën, sepse ai ishte një lojtar që mund të bënte diferencën gjithmonë. Sigurisht, tashmë kanë gjetur Diego Militon më të mirë, i cili kur është në formë është një rrezik i vërtetë dhe di ta bëjë mirë detyrën e tij, mbi të gjitha nëse skuadra mbrohet mirë dhe mbështetet tek ai për tu nisur me kundërsulm. Milito është një armë e rrezikshme, por me Etonë, Interi kishte një armë më tepër.

A ka ndikuar kjo gjë edhe në zgjedhjen tuaj për tu larguar te PSG-ja?

Pak a shumë po. Siç ia kam bërë të ditur edhe presidentit, Masimo Morati, ciklit tim tek Interi i kishte ardhur fundi. Për mua kishte ardhur momenti që të ndryshoja ambient, sepse kam nevojë për të patur gjithmonë stimuj të rinj për të bërë progres, gjë që i kam gjetur këtu, me një skuadër që është në rritje, edhe pse të fitosh Ligën 1 nuk do të jetë kurrë gjë e lehtë.

Besoj se kur një lojtar ndien nevojën për të ndryshuar për të gjetur motivim, nuk duhet të mendohet gjatë, mbi të gjitha kur e kupton se ka kaluar një eksperiencë ndoshta edhe shumë të pasur. Mendoj se kam bërë një zgjidhje të mirë, për mua dhe për ata.

Interi duhet rithemeluar?

Është e vështirë të ndryshosh Interin. Nuk është mirë të flasësh për problemet e tyre kur je jashtë. Nuk është e lehtë të transformosh një skuadër të tillë sot për nesër. Do të duhet kohë, do të duhen njerëz me kapacitet për ta bërë. Gjithsesi, uroj që të gjejnë një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur.

Atëherë, një parashikim për Marsejë-Inter?

Në këtë moment janë të barabartë: 50-50.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›