E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgaj: Garantojmë të drejtën e votës

27-03-2013 / Gazeta 55

Zgjedhjet, trajnohet policia, OSBE: Të përmbushen standardet.

Në Qendrën e Formimit Policor në Tiranë nisi  trajnimi i punonjësve të policisë për rolin e tyre në procesin zgjedhor. Trajnimi organizohet përmes bashkëpunimit mes Prezencës e OSBE-së në Shqipëri dhe Policisë së Shtetit. Të pranishëm në nisje te aktivitetit ishin ambasadori i OSBE-së, Eugen Vollfarth dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj. Kreu i Prezencës së OSBE, Eugen Vollfarth i pranishëm në nisjen e trajnimit të policisë për zgjedhjet ka shprehur besimin se puna e tyre do jetë e mirë si në rastet e tjera, ku edhe raportet e ndërkombëtarëve janë shprehur pozitivisht. Vollfarth ndër të tjera kërkoi që të gjithë personat që përfshihen në këtë proces, qofshin ata policisë, politikanë apo administrator zgjedhjesh duhet të bëjnë të mundur përmbushjen e standardeve, me qëllim që vendi të ecë përpara. Gjatë fjalës së tij, Burgaj theksoi se Policia e Shtetit ka qenë dhe mbetet e vendosur për të krijuar një klimë mirëbesimi për të gjithë votuesit dhe subjektet politike për një proces zgjedhor në përputhje me ligjin. Sipas tij, punonjësit e Policisë së Shtetit duhet të jenë krenarë që ligji u ngarkon detyrën e garantimit dhe ruajtjes së të drejtës së votës. Drejtori i Policisë kërkoi angazhim maksimal të punonjësve në zbatim të misionit që i është ngarkuar në mbarëvajtjen e procesit, në respekt të ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Trajnimi, i cili do të vijojë deri në fund të prillit, filloi sot në nivel strategjik, me një sesion kushtuar zyrtarëve të lartë të policisë. Pas trajnimit të 150 trajnuesve, sesionet e tjera do të shtrihen në nivelet operative dhe taktike, tek i gjithë personeli policor që do të jetë i angazhuar në zgjedhje. Lektorët janë ekspertë të Qendrës së Formimit Policor, Prezencës së OSBE-së, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë. Gjithashtu, Prezenca po përgatit një broshurë informative për rolin e veçantë të policisë në procesin zgjedhor, e cila do t’u shpërndahet të shtatë mijë policëve. Kjo ndihmë është pjesë e mbështetjes së vijueshme që Prezenca e OSBE-së iu jep institucioneve të shtetit shqiptar për të siguruar administrimin e suksesshëm teknik të procesit zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi pak ditë më parë një projekt/udhëzim që i lejon policisë ndërhyrjen në Qendrat e Votimit, në rast se në to do të kenë prishje të rendit të qetësisë.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›