E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgaj: Ndryshime në strukturat drejtuese të policisë në qendër dhe bazë



Numri një i Policisë së Shtetit paralajmëron ndryshime në strukturat drejtuese dhe zbatuese, si dhe shtim të strukturave dhe efektivave në pikat kufitare

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i sapoemëruar në krye të Policisë së Shtetit, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Policia Pranë”, ka vlerësuar punën e deritanishme të paraardhësit të tij, zotit Ahmet Prençi, ndërkohë që paralajmëron se do të ketë rifreskime në strukturat policore në qendër dhe bazë. Zoti Burgaj ka shpjeguar në intervistë prioritetet e tij në krye të Policisë së Shtetit, ndryshimet që do të ketë në vijimësi në strukturat e policisë në qendër dhe bazë, si dhe shtimin e strukturave dhe numrit të policëve në pikat kufitare, por edhe në pozicione të tjera ku shihet e nevojshme.

Zoti Burgaj, si e konsideroni emërimin tuaj në postin e drejtorit të Përgjithshëm?

Emërimi im, si dhe të gjitha lëvizjet që do të bëhen në Policinë e Shtetit kanë për qëllim dhënien e impulseve të reja, rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit dhe mbi të gjitha realizimin me çdo kusht e brenda afatit të standardeve të kërkuara. Që pas ngjarjes dramatike të 7 gushtit, Policia e Shtetit ka pësuar një tërheqje, pra një tulatje në punën e saj, ndaj lind nevoja që të rifreskohen strukturat drejtuese dhe zbatuese si në qendër dhe në bazë, me qëllim që policia të fitojë përsëri atë siguri dhe forcë që ka treguar kundër krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.

Si drejtori i Përgjithshëm, cilat janë disa nga prioritetet kryesore që ju keni?

Prioriteti kryesor mbetet gjithnjë shërbimi i policisë ndaj qytetarit, sigurimi i shërbimit bashkëkohor, të shpejtë, ligjor, korrekt, racional për komunitetin, pasi marrëdhëniet polici–komunitet janë të rëndësishme për emancipimin dhe jetën e një shoqërie. Shoqëria shqiptare është tani në atë stad që kërkon një ridimensionim të këtyre marrëdhënieve, gjithnjë në sensin e përmirësimit të tyre, duke rritur besimin tek Policia e Shtetit. Synimi im është krijimi i një imazhi në rritje për policinë, duke e lidhur këtë me krijimin e besimit përmes punës profesioniste dhe ndershmërisë qytetare.

Kjo arrihet në dy mënyra: së pari, përmirësimi i performancës së punës së policisë në mënyrë të veçantë të rolit zbatues, si Policia e Rendit, e Qarkullimit, e Kufirit, të cilët kanë kontakte të vazhdueshme me komunitetit. Kjo do të realizohet nëpërmjet trajnimeve ku rreth 50% e tyre janë trajnuar dhe pjesa tjetër do trajnohet në vazhdim, si dhe duke synuar që njohuritë që marrin t’i zbatojnë në terren dhe t’iu japin zgjidhje ligjore problemeve të qytetarëve. Së dyti, këmbëngulja për ndryshim mentaliteti në polici, për t’u vënë plotësisht si shërbim në shërbim të qytetarit, pra në konceptin e policit ky shërbim të konsiderohet si shërbimet e tjera dhe si detyrë ligjore, sepse paguhet nga taksapaguesit dhe njëkohësisht të jetë sa më social e human, sikundër autoritarë ndaj shkelësve të ligjit. Prioritet tjetër kryesor është përzgjedhja e strategjive dhe metodave për të luftuar më me efikasitet krimin e organizuar dhe korrupsionin. Policia e Shtetit vitet e fundit ka arritur rezultate mjaft të larta në këtë drejtim, por kjo luftë kërkon çdo ditë e më tepër ashpërsi, vullnet, profesionalizëm, përsosje të logjistikës dhe përdorim të metodave speciale të hetimit, me qëllim që të fitojmë gjithnjë e më tepër terren në përballjen me krimin e organizuar, pasi ai është forma më e lartë edhe e sofistikuar e krimit. Njëkohësisht do të forcojmë më tej bashkëpunimin me homologët tanë dhe agjencitë e tjera që merren me luftën kundër krimit.

Prioritet tjetër është: krijimi i besimit, gërshetimi i aftësive individuale me punën në grup e motivimi i efektivave në veprimtarinë e përditshme. Pastrimi i radhëve të policisë nga elementët e inkriminuar, pasi ka ende punonjës policie të veçantë që kanë lidhje kriminale. Kjo do arrihet nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin, Kontrollin e Shërbimit të Brendshëm pranë çdo drejtori policie në qark, si dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në vend. Menaxhimi i integruar i kufijve, kufij të hapur, por të sigurt. Kjo do arrihet duke shtrirë në të gjitha pikat kufitare sistemin TIMS, ku ka mbetur dhe pika kufitare e fundit Sopiku që brenda këtyre ditëve do të instalohet edhe aty, në plotësimin urgjent të strukturës së kufirit ku aktualisht janë 33 vende bosh dhe me rialokimin e burimeve njerëzore do t’i shtohen efektivave të kufirit rreth 300 punonjës policie shtesë, ku shtesat më të mëdha do bëhen në jug të vendit, pra në kufirin me Greqinë dhe Italinë. Në aplikimin në të gjitha pikat kufitare të programit pilot: një ndalesë, një kontroll ku policia kufitare dhe dogana do të kryejnë kontroll së bashku, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve pasi përpunimi do bëhet në kohë reale, shmangien e radhëve të gjata në raste fluksi, por edhe në rritjen e efikasitetit të luftës kundër trafiqeve dhe kontrabandës. Në monitorimin e të gjitha pikave të kalimit me sistem kamerash nga qendra, në pajisjen me mjete moderne të Policisë Kufitare që monitoron kufirin e gjelbër, si kamera termike, automjete për zonat malore, motoçikleta etj. Çështjen e kontrollit të kufirit e shikoj jo vetëm si aspekt shumë të rëndësishëm të sigurisë kombëtare, por edhe si detyrim që vendi ynë ka në arenën ndërkombëtare për integrimin e Shqipërisë në BE dhe liberalizimin e vizave, pasi 50% e pyetësorit janë detyrime të policisë dhe ne duhet të jemi pararoja në realizimin e këtij objektivi madhor të vendit tim.

Transparenca me median, pasi media është një hallkë e rëndësishme e lidhjes së policisë me komunitetin, të cilat nëpërmjet pasqyrimit real e objektiv që i kanë bërë punës tonë, janë bërë pjesë përbërëse e sukseseve dhe imazhit që kemi krijuar në publik, por dhe është një oponencë e nevojshme në punën tonë.

A mendoni se shpërndarja e burimeve njerëzore është në raport të drejtë me nevojat që kanë strukturat policore për të shfaqur një performancë sa më të lartë të Policisë së Shtetit në komunitet?

Është e vërtetë që shpërndarja e burimeve njerëzore jo në çdo rast plotëson nevojat që kanë strukturat për menaxhimin e situatës kriminale, si dhe rritjes së parametrave të sigurisë publike dhe menaxhimin sa më mirë të kufirit. Për këtë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me mbështetjen dhe të misionit policor PAMECA 3 dhe programit ICITAP, ka identifikuar nevojën për një rialokim të burimeve njerëzore.

Çfarë duhet të kuptojmë me rialokim të burimeve njerëzore dhe a do të ndikojë ai në plotësimin real të nevojave të policisë?

Rialokim i burimeve njerëzore do të thotë: analizimi i të gjitha posteve të punës në Policinë e Shtetit me qëllim plotësimin e nevojave reale që kanë shërbimet e policisë.

Me rialokim të burimeve njerëzore synojmë:

-Në rritjen e numrit të punonjësve në shërbim të komunitetit.

-Në rritjen e performancës për menaxhimin e kufirit

-Në përmirësimin e performancës së policisë në të gjitha shërbimet në raport me kërkesat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

-Në shpërndarjen e të gjitha forcave policore në raport të drejtë me numrin e popullsisë dhe tendencat kriminale në zona të caktuara.

Pas viteve ‘90-të, Policia e Shtetit ka pësuar ndryshime të herëpashershme strukturore. Mos duhet të kuptojmë se dhe ky është një ndryshim strukturor i radhës?

Rialokimi i burimeve njerëzore është një risi në Policinë e Shtetit, pasi është hera e parë që bëhet një studim shkencor transparent me të gjitha strukturat e policisë në qendër dhe në bazë, nëpërmjet intervistimit të punonjësve të të gjitha niveleve, ballafaqimit të nevojave reale sipas shërbimeve, si dhe takimeve sfiduese midis grupeve që merren me studimin dhe titullarëve të strukturave. Asnjëherë më parë ndryshimet strukturore nuk janë bërë në bazë të një studimi real, i cili identifikon nevojat reale në Policinë e Shtetit.

Gjatë ndryshimeve të ndryshme strukturore në vite, punonjësit e policisë kanë pasur pasoja duke u larguar nga puna. A do të ketë pasoja për punonjësit e policisë ky rialokim i burimeve njerëzore?

Jo! Rialokimi i burimeve njerëzore nënkupton vetëm rishpërndarje të forcave sipas nevojave dhe nuk krijon asnjë pasojë që ata të largohen nga puna. Punonjësi i policisë është pasuri kombëtare, investim i shtetit dhe duhet trajtuar me vëmendje e respekt.

Në rast se në përfundim të këtij studimi, del nevoja për shtesa të punonjësve të policisë. Si do t’i përballojë Policia e Shtetit plotësimin e këtyre nevojave pasi siç dihet limiti i Policisë së Shtetit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave?

Së pari, Policia e Shtetit ka identifikuar disa shërbime që aktualisht kryhen me punonjës policie siç janë ruajtja e objekteve të ndryshme shtetërore. Në këtë drejtim do t’i kërkojmë Këshillit të Ministrave që këtë barrë që policia ka ndër vite të mos e ketë më, duke bërë të mundur sigurimin e tyre me polici private. Së dyti, nëse nevojat e policisë janë më të mëdha sesa kapacitetet e burimeve njerëzore që ne kemi, ministri i Brendshëm është shprehur i gatshëm që të ndihmojë Policinë e Shtetit duke i kërkuar qeverisë shtimin e burimeve njerëzore sipas nevojave që do dalin nga ky studim.

Intervistoi: Gentian Mullai

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›