E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët kontestojnë pyetjet e prokurorisë

Dëshmia e Loshajt


TIRANË- Seanca e 42-të gjyqësore ndaj tre ish-drejtuesve të SHIK-ut të kryeqytetit u shty sërish për mungesë të paraqitjes së dëshmitarëve, ndërkohë, avokati i të pandehurit Ilir Kumbaro kundërshtoj me anë të një shkrese disa nga pyetjet e përfaqësuesit të akuzës drejtuar viktimës së këtij procesi penal, Avdyl Loshaj.


Ky i fundit pritet të merret në pyetje nga autoritetet holandeze me kërkesë të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për rrëmbimin dhe dhunën e ushtruar ndaj tij në Shqipëri në vitin 1995 nga agjentët e SHIK-ut. Sipas avokatit Vojo Bregu, disa nga pyetjet e prokurorit Xhevat Hana janë sugjestionuese dhe duhen ripunuar ose ndryshuar.


Por, në lidhje me këtë pretendim, gjykata vendosi vetëm të administrojë shkresën për tu rezervuar në seancën e radhës që të shprehet mbi këtë kërkesë. Sipas akuzës, të pandehurit Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin por në kohë dhe role të ndryshme, kanë rrëmbyer dhe torturuar shtetasit Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, ky i fundit ende rezulton i zhdukur që nga dita e rrëmbimit të tij.


Ndërkohë, shtyrjet e vazhdueshme të proceseve gjyqësore, të cilësuara si të rëndësishme tashmë janë shndërruar në një problem serioz për drejtësinë. Mungesa e avokatëve mbrojtës apo si në rastin e fundit mungesa e dëshmitarëve, do të thotë të mbeten pezull disa prej proceseve më të mëdha në vend.


Për shkak të këtyre mungesave dhe zvarritjeve të proceseve gjyqësore, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vetëm dy ditë më parë në mbledhjen e radhës, njoftoi se do nisë inspektimi nëpër pesë gjykatat më të mëdha në vend, për të parë arsyet e këtyre zvarritjeve. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë, prej kohësh ka bërë gati një draft ligjor për "Avokatinë", por, që ka mbetur në sirtarët e Komisionit Parlamentar të Ligjeve.

Aksidenti, shpallet në kërkim Gligor Kaftani


Një person nga Gjirokastra është proceduar penalisht nga policia me akuzën e shkatërrimit të pronës, shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasoja materiale dhe largimit nga vendi i aksidentit.


Gligor Kaftani, 42 vjeç, nga Lunxhëria e Gjirokastrës është shpallur prej tri ditësh në kërkim nga Policia e Shtetit, pasi ka dëmtuar rëndë një automjet me targë KO 2153 B dhe për më tepër është larguar nga vendi i aksidentit. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se Kaftani ndiqet aktualisht nga policia pasi duke qarkulluar në orën 23:30 të datës 1 nëntor në rrugën "Muhamet Gjollesha" në Tiranë, me automjetin e tij, "Mitsubishi", me targa GJ 8950 A ka aksidentuar në semafor duke dëmtuar rëndë automjetin e T.B me targa KO 2153 B.


Ngjarja ndodhi në urën pranë shkollës "Vasil Shanto" në kryeqytet kur mjeti i dëmtuar ishte i ndaluar në semafor. Kaftani ka humbur kontrollin e mjetit të tij dhe ka goditur nga prapa mjetin me targa KO 2153 B. Pasi pa dëmin e rëndë të shkaktuar, ai është larguar nga vendi i ngjarjes për t'i shpëtuar procedurave ligjore.


Largimi me urgjencë nga vendi i aksidentit ka sjellë shpalljen e tij në kërkim nga ana e policisë kriminale. Ndaj Kaftanit ka nisur kërkimi, pasi ai kërkohet vepra të parashikuara nga Kodi Rrugor dhe ai Penal. Materialet i kanë kaluar prokurorisë për veprime proceduriale dhe pritet kapja nga uniformat blu e 42 -vjeçarit Gligor Kaftani.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›