E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon identifikimi

Identifikohet trupi i pajetë i fëmijës një vjeç, i gjetur të dielën në lumin Tisa, në kufirin serbo-hungarez.

Burime jozyrtare të Expressit sqarojnë se bëhet fjalë për Florian Ademin, mosha e të cilit me saktësi është 11 muaj.

Për këtë viktimë mendohet se autoritetet serbe kanë thënë se kanë gjetur trupin e pajetë të fëmijës të moshës rreth 1 vjeç.

Të afërm të fëmijës kanë treguar për Express se familjarët janë nisur të martën në mbrëmje drejt Kanjizhës në Serbi, për të marrë trupin e pajetë të vogëlushit.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar, përveç atij të mëparshmit se deri më tash janë gjetur nëntë viktima.

Ndërkohë, përveç kufomës së fëmijës një vjeç, të gjitha viktimat e tjera të gjetura deri më tash në lumin Tisa, tashmë janë identifikuar zyrtarisht.

Nga 15 persona sa dyshohet se kanë humbur jetën në këtë tragjedi, identifikimi i fundit, mendohet se është ai i Doruntinës, vajzës 8 vjeçe të çiftit Rrahim dhe Valbona Mirena nga Obiliqi.

Në të njëjtën kohë, përveç Doruntinës, është bërë edhe identifikimi i prindërve të saj, Rrahimit dhe Valbonës, dhe tashmë pritet që trupat e tyre të sillen nga Kanjizha e Serbisë, drejt Kosovës.

Të hënën pasdite, me fotografi të viktimave të çiftit Mirena, Policia e Kosovës ka shkuar te të afërmit e tyre në Obiliq.

Përmes fotografive, të afërmit e këtyre viktimave, kanë mundur të identifikojnë se njëra nga kufomat është e Rrahimit.

Si e kam pa në fotografi, e kam njohur Rrahimin. Ia kam njoftë unazën edhe orën, thotë Fadil Mirena për Express, kushëri i afërt i viktimës.

Sipas tij, identifikimi i gruas së Rrahimit të ndjerë, Valbonës, ka qenë më i vështirë të bëhet dhe për këtë arsye është dashur të kërkohet ndihma e nënës së saj.

Gruaja e Rrahimit, ditën kur janë nisur, ka dalë nga shtëpia e prindërve të saj në fshatin Zabel të Drenasit. Nëna e saj sapo e ka parë fotografinë, e ka njohur, sepse ia ka njohur rrobet, shpjegon ai.

Fadili sqaron se kthimi i trupave për ti varrosur në Kosovë, duhet të bëhet tërësisht në mënyrë private dhe se askush nuk iu ka ofruar ndihmë.

Unë isha bërë gati që sot (e martë) të udhëtoj drejt Kanjizhës, por vëllezërit e gruas së Rrahimit të ndjerë janë në Slloveni dhe ata kanë udhëtuar në Serbi për ti marrë kufomat e për të ardhur në Kosovë, thotë Fadili për Express.

Çifti Mirena ka pasur tri vajza dhe tash pas identifikimit të Doruntinës, mungojnë edhe trupat e pajetë të Dafinës 6 vjeçe dhe Agnesës 2 vjeçe.

Ndërkohë, Policia e Kosovës vazhdon të bazohet në njoftimin zyrtar të lëshuar për media, të hënën pasdite, sipas të cilit, është gjetur edhe një trup i pajetë i një fëmije një vjeç.

Sipas këtij njoftimi, nëntë është numri i kufomave të gjetura deri më tash në lumin Tisa. Përveç njoftimit të fundit për gjetjen e fëmijës një vjeç, identifikimi i të cilit nuk është bërë ende, diçka tjetër nuk ka, thotë Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Viktimat e Tisas
Jozyrtarisht, këta janë emrat e viktimave të lumit Tisa që Expressi ka mundur ti sigurojë. Në mesin e tyre ka persona që janë gjetur, por trupat e të cilëve ndodhen ende në morgun e Kanjizhës në Serbi, të atyre që tashmë janë sjellë dhe varrosur në Kosovë dhe të atyre që ende nuk janë gjetur. Rrahim Mirena, Valbona Mirena, Doruntina Mirena (8), Dafina Mirena (6), Agnesa Mirena (2), Florim Ademi (28), Elfete Ademi (23), Albert Ademi (4), Florian Ademi (1), Elvira Jaha (23), Ibrahim Koci (28), Lindita Idrizi, Agnesa Idrizi (8), Anita Idrizi (6).

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›