E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i nis hetimet

Prokuroria e EULEX-it nuk është duke punuar vetëm në zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë, por së fundi ka nisur edhe hetimin e rasteve ku dyshohen të jenë bërë afera të majme korruptive.

Kështu tha të martën në Prishtinë, shefi i prokurorëve të misionit EULEX në Kosovë, Theo Jacobs, gjatë tryezës Sistemi gjyqësor dhe lufta ndaj korrupsionit të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Jacobs nuk përmendi emra personash se për kë bëhet fjalë, por tha se hetimet që tashmë kanë nisur janë shumë të mira dhe pritet që të japin rezultate muajve në vijim, përkatësisht në pranverë.

Nuk mund të them asgjë më shumë në lidhje me hetimet që janë duke u zhvilluar, por janë duke u bërë disa raste shumë të mira, po punohen dhe sa do të kenë sukses këto raste, presim dhe shohim, tha ai.

Përvec Jakobsit, në tryezën e organizuar nga KDI-ja morën pjesë edhe kryeprokurori i Kosovës, Hilmi Zhitia, zyrtar nga Agjencia Anti-Korrupsion, gjyqtarë, prokurorë, avokatë e analistë të tjerë, ndërsa mungoi pa ndonjë arsyetim, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rexhep Haxhimusa.

Besnik Ramadanaj, zëdhënës në KDI, teksa bëri publike të gjeturat e raportit të përpiluar nga ky institut, tha se krahas sektorëve të tjerë, sistemi i drejtësisë në Kosovë është më i prekuri nga korrupsioni.

Hilmi Zhitija tha se nuk e konteston faktin që gjyqësori është i korruptuar. Ai me këtë rast u mundua të shfajësohet duke thënë se ka shumë boshllëqe ligjore të cilat pamundësojnë punën efikase të sistemit të drejtësisë.

Ai tha se Prokuroria punon me ligjin e vitit 1976 dhe me gjithë punën e bërë për një ligj të ri, i njëjti me gjithë draftimin, ende nuk e ka marrë miratimin e Qeverisë së Kosovës, e më pas nga Kuvendi i Kosovës.

Zhitia me këtë rast u akuzua edhe për jotransparencë ndaj medieve. Për këtë topin ia gjuajti Ministrisë së Drejtësisë.

Ai tha se tash e disa vite ka kërkuar që në Prokurori të ketë zyrë për informim, por për këtë tha se nuk ka gjetur mbështetjen nga MD-ja.

Përfaqësuesi i Agjencisë Anti-Korrupsion, Sefer Goxhuli, duke folur për korrupsionin dhe format se si duhet luftuar atë, tha se gjyqësori dhe Prokuroria në këtë aspekt nuk kanë treguar bashkëpunim me agjencinë në fjalë.

Nga 150 informata të dërguara nëpër prokurori, vetëm për 61 prej tyre kemi marrë informata kthyese, tha ai.

Sikurse nga të pranishmit në debat, por edhe raporti i publikuar nga KDI-ja bën me dije se në luftimin e korrupsionit ende mungon vullneti politik.

Mungesa e vullnetit politik dhe gatishmëria e dobët e institucioneve akoma ekzistojnë për tiu qasur më seriozisht luftës kundër korrupsionit, ku edhe sot mungojnë ligjet dhe mekanizmat e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, thuhet mes të tjerash në raport.

Sipas tij, integriteti dhe pavarësia e sistemit gjyqësor janë të një rëndësie të veçantë në rastet kur trajtohet korrupsioni dhe po ashtu rrisin efikasitetin e gjyqësorit.

Pavarësia e gjyqësorit lë të kuptohet që gjyqtarët, prokurorët dhe punëtorët e tjerë të administratës nuk duhet të jenë nën ndikimet e jashtme, qoftë të politikës, pushtetit apo interesave të tjera individuale, bën me dije raporti.

Raporti njashtu bën me dije se sistemi gjyqësor ka ngecur për sa i përket funksionimit demokratik dhe transparent, ka mungesë legjislacioni si dhe ka joefikasitet, i cili po të ekzistonte, do të zvogëlonte mundësitë e korrupsionit në të gjitha procedurat gjyqësore, jo vetëm të atyre që merren me korrupsionin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›