E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgaj: Policia e shtetit, e vendosur në rrugën e reformave


Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua sot një ceremoni për dhurimin e një sasie të konsiderueshme jelekësh antiplumb për forcat e Policisë së Shtetit, nga ana e Qeverisë Amerikane nëpërmjet programit ICITAP.
 

Ky donacion konsiston në 2036 jelekë, duke filluar nga jelekët e lehtë antiplumb e deri tek jelekët me përforcim të rënduar për t`u përdorur në operacione të ndryshme nga Forcat Speciale.
 

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse në këtë ceremoni, Zv/Ambasadorja Amerikane, Deborah A. Jones vlerësoi bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve në fushën e zbatimit të ligjit.
"Ky donacion u mundësua si rrjedhojë e një bashkëpunimi afatgjatë tashmë, ndërmjet Gardës Kombëtare të Shtetit të Nju Xhersit dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë."
 

"Këta jelekë antiplumb do t`i shërbejnë oficerëve të policisë në mbështetje të luftës së tyre kundër krimeve të rënda, krimeve të dhunshme dhe grupeve kriminale. "
 

"Shpresa ime do të ishte që asnjë nga punonjësit e policisë të mos e ndjente nevojën për ta përdorur këtë jelek antiplumb, por realiteti është që punonjësi i policisë rrezikon jetën e tij çdo ditë për të mbrojtur qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Këta jelekë janë kontribut i yni për të reduktuar këtë risk ndaj krimit si dhe për forcimin e zbatimit të ligjit në Shqipëri", theksoi Jones.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, gjatë fjalës së tij falënderoi në mënyrë të veçantë Gardën Kombëtare dhe Departamentin e Sherifit të Kontesë Bergen të Nju Xhersit, Ambasadën Amerikane dhe stafin e Programit ICITAP, dhe theksoi rëndësinë e këtij donacioni në përmirësimin e standardit të sigurisë për efektivët e Policisë së Shtetit.

"Përdorimi i këtyre pajisjeve, natyrisht, që do të përmirësojë standardin e sigurisë për jetën e shëndetin e punonjësve të policisë, njëkohësisht, do të rritë efikasitetin e strukturave të policisë për realizimin e detyrave institucionale si dhe do te ndikojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit.
 

Ndihmën dhe mbështetjen permanente që keni ofruar dhe ofroni për Policinë e Shtetit, e vlerësojmë jo vetëm si një përkrahje midis partnerësh, por edhe si një nxitje e stimul për të punuar me përkushtim për përgatitjen e një organizate policore demokratike e moderne, partnere e denjë për simotrat e saj të vendeve më të përparuara euroatlantike."
 

"Policia e Shtetit do të vazhdojë e vendosur rrugën e reformave për tu shndërruar në një institucion me të vërtetë demokratik dhe, njëkohësisht, në një institucion partner, të besueshëm dhe profesional për homologët tanë të vendeve euroatlantike", theksoi Burgaj.

Nga ky donacion kanë përfituar struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit të Departamentit të Sigurisë Publike, Njësitë e agjentëve në mbulim, Forcat speciale të RENEA-s, Forcat e ndërhyrjes së Shpejtë, Forcat e Operacioneve Speciale në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar dhe Njësitë anti-eksploziv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›