Burgaj: Shërbimi policor pranë komunitetit
Për njëmbëdhjetë javë me radhë, gjatë periudhës 12 tetor “ 30 dhjetor 2009, janë trajnuar pranë kësaj Qendre punonjës të policisë të nivelit zbatues, të gradave inspektor dhe kryeinspektor. “Ne vlerësojmë dhe vazhdojmë të jemi të bindur se shërbimi policor i orientuar për nga qytetari është ajo çka komuniteti pret nga ne. Dhe ne besojmë që kemi gjetur rrugën e përshtatshme për përmirësimin e profesionalizmit në polici nëpërmjet një sistemi trajnimi të përshtatshëm dhe efikas.”, theksoi gjatë fjalës së tij Burgaj. Ai ka garantuar të pranishmit për mbështetjen e vazhdueshme të trajnimeve bazë për punonjësit e policisë, si dhe zhvillimin e një sistemi trajnimi të modeluar sipas praktikave më të mira perëndimore, të aftë për t”iu përgjigjur nevojave profesionale të organizatës. “Që sot, pothuajse gjysma e numrit të përgjithshëm të punonjësve të policisë të nivelit zbatues që shërben si patrullë e përgjithshme, ka përfunduar trajnimin bazë dhe është e gatshme që të shërbejë sipas koncepteve të reja. Që sot balanca e shërbimit policor do të zhvendoset më dukshëm për nga modelet moderne të policimit. Duke shfrytëzuar këtë rast, dua të them që edhe në këtë fundviti, në ditët e ndërrimit të viteve policia e shtetit do të vazhdojë të jetë në shërbim, me njerëz të pajisur me koncepte të reja dhe më një shërbim më cilësor për qytetarin.”, theksoi z. Burgaj.Me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka falenderuar për mbështetjen e madhe dhe asistencën e dhënë nga partnerët ndërkombëtar, veçanërisht nga programi ICITAP për trajnimin bazë. Më pas, veç çertifikatave për përfundimin me sukses të kursit IX të shkollimit bazë, u shpërndanë çertifikata edhe për instruktorët e kursit dhe kursantët me rezultate më të larta.