Mungesa e dialogut, Borchardt: Rrezikohet integrimi
Diplomati, vendi i të cilit ka rol tejet të madh në këtë union, mendon se mungesa e dialogut brenda klasës politike shqiptare, do të jetë një pengesë serioze në këtë drejtim.Borchardt tha për “Deutsche Welle”, se Shqipëria do të ketë të vështirë të marrë një përgjigje pozitive nga ana e BE-së, dhe pengesë sipas tij, bëhet klima aktuale politike në vend. “Tashmë Shqipëria sapo ka marrë pyetësorin e Komisionit, të cilin Komisioni do ta vlerësojë. Pas përgjigjes së pyetjeve të tjera eventuale Komisioni mund t'u propozojë vendeve anëtare t'i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Unë mendoj, se kjo do të ishte e vështirë duke konsideruar kushtet aktuale politike në vendin tuaj”, theksoi ambasadori gjerman. Ai shtoi se “Partitë politike në Shqipëri duhet të gjejnë një zgjidhje për problemet e vendit tuaj. Bashkimi Evropian ka formuluar në vitin 1993 të ashtuquajturat “Kritere të Kopenhagës“, të cilat përcaktojnë kushtet themelore të pranimit. Ndër kushtet kryesore përfshihen stabiliteti politk dhe pjekuria demokratike. Por nëse situata e tanishme politike do të vijojë më tej, atëherë rriten rreziqet për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE. Do të më vinte keq, nëse vendi juaj do të mbetej prapa vendeve të tjera të rajonit”. Gjatë intervistët, për DW, diplomati gjerman ka kërkuar nga partitë politike në Shqipëri të shfaqin më qartë vullnet të dukshëm politik, “të jenë të gatshëm t'i drejtohen njëri-tjetrit dhe të zgjidhin problemet politike në vendin tuaj. Këtu nuk ka vend as për ultimatume, as për kërcënime të fshehta dhune, apo sulme personale. Ministrat e Jashtëm të BE-së u kanë kërkuar të gjitha partive politike të zhvillojnë një dialog politik konstruktiv edhe në parlament”. Borchardt tha më tej se bojkotimi i parlamentit nuk mund të çojë në afrim apo zgjidhje, por sipas tij, bojkoti është faktor që nxit antagonizmin.