E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet në Shkodër, del shifra e dëmeve në bujqësi



SHKODER/ RITVAN DIBRA

Përmbytjet e prillit, të cilat u shkaktuan banorëve të zonave të Shkodrës dëme të mëdha në bujqësi, mund të kompensohen nga një shumë prej 280 milionë lekësh. Kjo vlerë do t'i dërgohet Qeverisë për miratim, pas përfundimit të punës së ekspertëve në terren. Një fakt të tillë e ka bërë publik paraditen e djeshme sekretari i Këshillit të Qarkut të Shkodrës, Besnik Kastrati. Sipas tij, Këshilli i Qarkut ka bërë dorëzimin në Ministrinë e Brendshme të dokumentacionit që ka të bëjë me vlerësimin e dëmeve të pësuar nga banorët e Nënshkodrës në përmbytjet e dyta dhe të treta në muajt mars dhe prill të këtij viti. Pas ngritjes së grupeve të vlerësimit të përmbytjeve të fundit është mësuar edhe shuma e dëmit shkaktuar familjeve. Pjesa më e madhe e dëmit është në fushën e bujqësisë. "Tashmë do të jetë Këshilli i Ministrave që do të marrë një vendim për miratimin e kësaj shume në adresë të fermerëve të zonave të Nënshkodrës. Në total janë rreth 1800 familje që janë inspektuar nga grupet e vlerësimit të dëmeve në këto përmbytjet e fundit. Vlerësimi i dëmeve është bërë sipas formularit 3, i cili ka të bëjë me dëmet në fushën e bujqësisë", ka sqaruar Kastrati. Por, njëkohësisht me këto vlerësime të dëmeve të fermerëve të Nënshkodrës, zyrtari i Këshillit të Qarkut ka sqaruar se janë bërë verifikime të dëmeve dhe në fshatrat e çasit, Luarzit dhe Pentarit të komunës Velipojë, fshatra këto që janë përmbytur në fillim të këtij viti, pra në përmbytjen e parë. Por, për shkak se uji është larguar me vonesë nga këto fshatra, përcaktimi i dëmeve ka qenë i pamundur që të kryhej më parë, duke bërë që grupet e punës të kryejnë veprimet vetëm tani. Kanë qenë rreth 362 familje të këtyre fshatrave që janë vlerësuar me dëme, e cila në lekë përllogaritet në 120 milionë lekë. Kastrati nuk ka harruar që të përmendë dhe rastet e ankesave të banorëve në lidhje me shumën e dëmshpërblimeve. Sipas tij, një grup tjetër pune ka marrë në shqyrtim ankesat e banorëve të qarkut Shkodër për përmbytjet e para. Nga ku, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe dëshmisë së anëtarëve të grupeve të vlerësimit të dëmeve është arritur në konkluzionin se rreth 32 raste kanë pasur të drejtë në ankimimet e tyre. Për ta, sipas Kastratit, do të duhet dhe një fond shtesë prej 7.5 milionë lekësh për t'ua shpërndarë. Tashmë, dokumentacioni përkatës do t'i dërgohet Këshillit të Ministrave për ta shqyrtuar dhe më pas për ta miratuar atë, me qëllim që të bëhet edhe shpërndarja e parave për këtë proces. Për dëmshpërblimet e para, pati një sërë reagimesh nga banorët, të cilët pretenduan se dëmet ishin më të mëdha, shkaktuar në pronat e tyre, (ndërtesa dhe orendi). Ndërsa përmbytjet e fundit shkaktuan dëme në bujqësi, pasi fermerët kishin kultivuar të mbjellat e pranverës, por shiu dhe uji i shpërthyer pas hapjes së digave të hidrocentraleve i dëmtuan ato.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›