E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgaj takon në Paris homologun francez

Takimi i sotëm u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon nga data 15-17 nëntor në Francë një delegacion i Policisë së Shtetit i kryesuar nga Burgaj.

Në këtë takim, i cili është i pari në nivel Drejtorësh të Përgjithshëm të Policisë, Burgaj dhe Pechenard vlerësuan ecurinë e deritanishme të bashkëpunimit policor ndërmjet Shqipërisë dhe Francës si në nivelin teknik, ashtu dhe në atë operacional.

Po ashtu drejtuesit e lartë policorë të të dy vendeve ndanë të njëjtin mendim për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet policive të të dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit operacional në mënyrë që rezultatet të jenë konkrete, të drejpërdrejta dhe të shpejta. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Franceze gjatë fjalës së tij vlerësoi rezultatet konkrete të arritura në sajë të bashkëpunimit ndërmjet policisë Shqiptare dhe asaj Franceze veçanërisht në goditjen e trafikut të automjeteve, të trafikut të qenieve njerëzore etj.

Pechenard shprehu angazhimin dhe vullnetin e tij personal për të thelluar dhe më tej nivelin e bashkëpunimit, veçanërisht atë operacional mes shërbimeve policore të të dy vendeve.  Po ashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Franceze ofroi mbështetje për trajnimin e specialistëve të strukturave të ndryshme të policisë shqiptare.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit  Burgaj gjatë fjalës së tij bëri një ekspoze të shkurtër të punës së strukturave të Policisë së Shtetit për të luftuar me zero tolerancë krimin në të gjitha format e tij e veçanërisht krimin e organizuar. Po ashtu Burgaj duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore të dy vendeve theksoi se së shpejti do të caktohet oficeri ndërlidhës i policisë shqiptare në Lion, i cili do t’i shërbejë më së miri rritjes së mëtejshme të këtij bashkëpunimi.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›