E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgimet e padrejta, Ina Rama gjykatës: Na sillni vendimet

 

Trazhgim Sokolaj
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, i kërkon Gjykatës së Lartë të mos bëhet shkak për shkeljen e të drejtave të personave të dënuar, duke vonuar dërgimin e vendimeve për ekzekutim.

Duke u nisur nga ankesat e shumta të qytetarëve, për vonesa në ekzekutimin e vendimeve penale, Prokurorja e Përgjithshme i është drejtuar Kryetares së Gjykatës së Lartë me një kërkesë zyrtare, ku kërkon që vendimet të zbardhen dhe të dërgohen në kohë për ekzekutim. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se “ankesa” e Ina Ramës me nr.prot 2084, është dërguar në adresë të Kryetares së Gjykatës së Lartëk më 9 shtator 2009. Të njëjtat burime thanë se shkak për letrën e dërguar nga Ina Rama, kanë qenë një numër i madh ankesash nga qytetarët, të cilët pretendojnë se mbahen në burg me ditë e madje edhe me muaj, pasi Gjykata e Lartë ka vendosur lirimin e tyre nga qelitë. E gjitha kjo ndodh për shkak të vonesave në zbardhjen e vendimeve e më pas në dërgimin e tyre në Prokurori. Edhe nëse gjykatat shqiptare vendosin lirimin e një personi nga burgu, një vendim i tillë nuk zbatohet pa veprimin e prokurorisë. Ligji parashikon që vendimi në fjalë, duhet të dërgohet në rrugë zyrtare në Sektorin e Ekzekutimeve Penale në Prokurori, në mënyrë që më pas ky sektor të bëjë zbatimin përfundimtar të vendimit. Në letrën e saj, Kryeprokurorja Ina Rama shprehet se edhe pse prokurorët janë të pranishëm në seancat gjyqësore (për rastet e personave që kanë bërë ankesë) dhe dëgjojnë vendimin për lirimin e një personi nga burgu, prokuroria nuk mund të bëjë asnjë veprim për zbatimin e tij, derisa dokumenti i vendimit të shkojë zyrtarisht në Sektorin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Por derisa kjo të realizohet, gjykata kryen disa procedura të tjera, të cilat shkaktojnë vonesën. Trupi gjykues pasi shpall një vendim në sallën e gjyqit, në prani të palëve, e zbardh atë në dokument zyrtar, i cili më pas dërgohet për zbatim. Zbardhja e dokumentit të vendimit, në varësi të rastit zgjat nga 5-15 ditë. Pas zbardhjes së vendimit, kërkohet që të bëhet transportimi i tij me postë në institucionin që duhet të zbatojë verdiktin e dhënë nga gjykata. Kjo kërkon kohë shtesë. Rrjedhimisht personat për të cilët vendoset lirimi nga burgu, rrezikojnë të qëndrojnë në qeli edhe të paktën 20 ditë, pasi gjykata e ka shpallur vendimin e saj në seancë. Prokuroria apo burgu ku mbahet i dënuari, nuk lejohen nga ligji të veprojnë, për sa kohë nuk kanë dokumentin e vendimit të dhënë nga Gjykata. Rasti më i fundit në të cilin është bazuar “ankesa” e Kryeprokurores Ina Rama ndaj Gjykatës së Lartë, është ai i shtetasit Petrit Deliu. Ai është mbajtur në qeli të paktën gjashtë muaj në mënyrë të paligjshme, pasi Gjykata e Lartë kishte vendosur lirimin e tij nga burgu, por ka vonuar të zbardhë vendimin e më pas ta dërgojë atë në prokurori për zbatim. Në këto kushte prokuroria nuk ka mundur të veprojë derisa Gjykata e Lartë ka dërguar vendimin për të dënuarin, i cili është mbajtur 6 muaj në qeli në mënyrë të paligjshme.

Prokuroria: S‘veprojmë pa vendim
Prokuroria e Përgjithshme ka sqaruar se në bazë të ligjeve “për ekzekutimin e vendimeve penale” dhe “për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve, Prokurori nuk mund të urdhërojë lirimin nga burgu të asnjë personi, në qoftë se nuk i vihet në dispozicion vendimi ose shkurtimi i vendimit të Gjykatës. Zgjidhja e vetme sipas Prokurorisë për shmangien e vonesave e zvarritjeve është dërgimi për zbatim i vendimeve të shkurtuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›