Sekretari i Jashtëm, Miliband, fton Ilir Metën për vizitë në Londër
Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Miliband, ftoi Ministrin e Jashtëm dhe njëkohësisht zv.kryeministër Ilir Meta për një vizitë në Londër. Gjatë një takimi që Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe pati në Londër me Sekretaren e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të LSI-së, Brunilda Paskali, vlerësoi angazhimin e LSI-së në koalicionin qeverisës të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Paskali, e shoqëruar nga koordinatori për marrëdhëniet me jashtë i LRI-së Majlind Lazimi, morën pjesë prej pesë ditësh në Konferencën Vjetore të Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar. Një takim të veçantë Sekretarja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, zhvilloi me sekretarin e Jashtëm të Britanisë, David Miliband, Këshilltarin për politikën e jashtme të Kryeministrit Gordon Brown, Steward Woods, anëtaren e Komitetit Kombëtar Drejtues znj. Diane Hayter, etj. Gjatë takimit me sekretarin e Jashtëm të Britanisë, David Miliband, u shkëmbyen mendime për situatën politike në Shqipëri. Ajo e informoi z. Miliband për vendimin politik të LSI-së, si një stad të ri të emancipimit të politikës shqiptare. Gjithashtu Paskali shprehu vullnetin e LSI-së për të garantuar një qeverisje të qëndrueshme dhe një qeverisje shumë përfaqësuese, e cila do të bëjë të mundur që Shqipëria dhe shqiptarët gjatë këtyre 4 viteve të fitojnë betejat e rëndësishme që ka përpara, që kanë të bëjnë me standardet evropiane, që duhet të arrijmë në të gjitha fushat. Dhe më të rëndësishmen, sipas Paskalit, integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian. Nga ana e tij, sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Miliband, pasi shprehu vlerësime dhe konsiderata për LSI-në, dhe në mënyrë të veçantë për Kryetarin e saj, Ilir Meta, vlerësoi angazhimin e LSI-së si pjesë e koalicionit qeverisës. Gjithashtu Miliband, duke shkëmbyer mendime mbi situatën para dhe pas zgjedhore në Shqipëri, siguroi se qeveria e Britanisë së Madhe mbështet përpjekjet e Shqipërisë për integrimin e saj në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, reformat janë lajtmotivi dhe ai shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Qeverinë e Integrimit në fushën e reformave. Në përfundim të bisedës, Miliband i bëri një ftesë Metës për një vizitë në Lodër, për të thelluar akoma dhe më shumë bashkëpunimin ndërmjet dy partive anëtare të Internacionales socialiste.