E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondi i pronave, 3 pronarë rrëmbejnë pjesën e luanit

 

BLEDAR HOTI
Tre ish-pronarë të Tiranës pritet të marrin pjesën më të madhe të “tortës” prej 600 milionë lekë të parashikuar për kompensimin financiar të subjekteve të shpronësuara.

Sipas burimeve pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, numri i fituesve mund të jetë më i vogël se sa ka qenë në vitin e kaluar dhe kjo për shkak se një pjesë e konsiderueshme e fondit, afro gjysma e 600 milionë lekëve, do të shkojë për kompensimin financiar të ish-pronarëve të kryeqytetit. Një pjesë e këtyre përfituesve do të marrin kompensim mbi bazën e vlerës maksimale të përfitimit, që shkon deri në 180 mijë lekë të reja për metër katrorë. Përfitimi maksimal sipas ligjit dhe vendimit të Këshillit të Ministrave për këto ish-pronarë është deri në 200 metër katrorë. Nga 521 ish-pronarë që kanë aplikuar për të përfituar nga fondi prej 600 milionë lekëve, vetëm 160 prej tyre janë të qarkut të Tiranës, që përfshijnë qytetet e Tiranës dhe të Kavajës. Sipas burimeve pranë AKKP-së, sa më shumë fitues të ketë nga kryeqyteti aq më i ulët do të jetë numri i përfituesve për vitin 2009. Ndërsa muaji tetor është edhe afati maksimal i shpalljes së fituesve nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Nisja e procesit të mbledhjes së dokumentacionit ka nisur më 10 qershor të këtij viti dhe ka zgjatur për 30 ditë deri më 14 korrik. Në bazë të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, AKKP-ja ka tre muaj afat për të realizuar verifikimin e dosjeve të paraqitura nga subjektet e shpronësuara për kompensimin financiar. Mbi bazën e kësaj, data 14 tetor është si afati ligjor për shpalljen e fituesve. Kreu i AKKP-së, Elvis Çefa, ka bërë të ditur se muaji tetor mund të sjellë edhe shpërndarjen e këtij fondi, pa përcaktuar një datë të saktë. Sipas tij, gjithçka varet nga ana e institucioneve të tjera shtetërore, të cilat po zvarrisin procesin e verifikimit të dokumentacionit. Zvarritja, sipas Çefës, vjen nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të cilët nuk po i përgjigjen në kohë kërkesave të AKKP-së.
E vetmja shpresë për ish-pronarët që kanë konkurruar aktualisht është që të përfitojnë nga fondi shtesë i akorduar nga ana e qeverisë. Ndryshimet e fundit të buxhetit të shtetit të këtij viti, të miratuar një javë më parë nga Kuvendi kanë parashikuar që fondi i AKKP-së për kompensimin e ish-pronarëve nga 600 milionë lekë të arrijë në 1.770 miliardë lekë, ose rreth 19 milionë dollarë. Kjo shtesë erdhi pas rindarjes së fondeve të krijuara të qeverisë nga procesi i privatizimeve. Ndërsa AKKP-ja ende nuk ka vendosur konkretisht se si do të veprohet më pas me këtë shtesë fondi të akorduar nga qeveria. Ky institucion është në pritje të udhëzimeve për të vepruar mbi fondin shtesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›