E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi i dytë-PO-ja që vjen nga kriza

Arben Malaj 

Miratimi i Traktatit të Lisbonës ka një rëndësi jetike për të ardhmen e Bashkimit Europian, për rritjen e influencës globale, për  kredibilitetin në politikën e jashtme, për mirëfunksionimin jo vetëm si një bashkësi ekonomike, por edhe politike.  Ky traktat vjen pas dështimit të Kushtetutës europiane në vitin 2005. Miratimi i Traktatit të Lisbonës hasi në jo pak kundërshti në disa vende të BE-së, por goditja fatale erdhi nga vota jo e irlandezëve.
Për shumë europianë vota jo e Irlandës për Traktatin e Lisbonës, pasi ratifikimin e kishin bërë gati të gjitha vendet europiane, ishte jo pak zhgënjyese. Rezultati i qershorit 2008 me 46% pro dhe 53% kundër, bllokoi jo thjeshtë marrëveshjen, por krijoi një krizë, ai bllokoi edhe çdo zgjerim të mëtejshëm të BE-së. 
Të gjithë shpresonin se Irlanda do të shprehte mirënjohjen e saj për përfitimet reale nga anëtarësimi në BE. Irlanda dikur e varfër përmirësoi standardet e zhvillimit të saj ekonomik dhe social, duke u kthyer në një nga vendet më të zhvilluara të BE-së. Ajo eci shumë më shpejtë se vendet e tjera, si Spanja, Greqia dhe Portugalia.
Vota Jo e irlandezëve u nxit edhe nga një fushatë kundër, bazuar në disa shqetësime reale që përfshinin shqetësimin për cenimin e neutralitetit të saj, shqetësimin për qëndrimin ndaj abortit, fluksin në rritje të emigrantëve dhe paqartësitë për ndryshimet reale që do të sillte Traktati i Lisbonës.
Por ndoshta dy ishin shqetësimet, të cilat influencuan më shumë  dështimin e referendumit. E para, shqetësimi për kufizimin e numrit të komisionerëve evropianë, çka rrezikonte që Irlanda të humbiste mundësinë të kishte një komisioner, si mbrojtës të vendit të tyre nga çdo politike të BE.
Momenti i dytë kishte të bënte me politikën e taksave. Zhvillimi i  Irlandës, suksesi i saj u mbështet në një vizion dhe strategji të qartë për investimet në fushën e teknologjive të reja, duke e bërë Irlandën vendin tërheqës për kompanitë multinacionale.
Kjo strategji u mbështet edhe me politikën fiskale të taksave të ulëta. Irlandezët janë të shqetësuar se një BE shumë e mirë e organizuar dhe e harmonizuar, ndoshta do ta cenonte këtë “avantazh”, duke i bërë presion që të ngrinte taksat, të reduktonte konkurrencën negative të taksave të ulëta midis vendeve të BE-së. Pra, një nga vendet që merrte mbështetje të veçantë nga BE-ja për të reduktuar varfërinë me vendet themeluese të saj, aplikonte taksa të ulëta konkurruese ndaj ekonomive të vendeve të BE-së.
Vota jo e irlandezëve erdhi në prag të krizës globale, por kriza nuk e kishte prekur akoma rëndë ekonominë e saj. Zhvillimet e mëvonshme ekonomike e prekën rëndë ekonominë e Irlandës. Irlanda krenare nuk mund ta përballonte dot krizën e saj pa bashkëpunimin dhe koordinimin me Brukselin.
Analiza e fundit e FMN-së parashikon se ekonomia irlandeze do të ketë rritje negative me minus 7.5% në vitin 2009 dhe ndoshta është nga vendet e pakta të BE-së që do të kenë rritje negative edhe gjatë vitit 2010. Papunësia e Irlandës nga 4.5% në vitin 2007 do të arrijë në nivelin rreth 15% në vitin 2010.
“Për të hartuar rrugën jashtë stuhisë së tanishme do të duhet më shumë dhe jo më pak Europë”, qartësonte Marek Belka, Drejtor i Departamentit Europian të FMN-së.
Efikasiteti me të cilën filluan të vepronin masat e BE-së dhe bashkëpunimi me qeveritë duket se ndihmuan të ndalonin një  përkeqësimin akoma më të madh të ekonomisë së Irlandës.
Sondazhet e fundit tregojnë se mundësia për të votuar pro në referendumin e dytë është rritur ndjeshëm.
Kjo rritje ka ardhur edhe nga disa garanci që BE-ja i ka dhënë Irlandës, se marrëveshja e re nuk do të cenojë neutralitetin e saj, se Irlanda sërish do të ketë mundësinë për të pasur një komisioner, se politika e taksave do të jetë politike kombëtare dhe jo komunitare.
Por në këtë ndryshim të ndjeshëm të mbështetjes pro ka ndikuar shumë edhe leksioni i krizës aktuale globale. Të gjitha vendet, sidomos ato si Irlanda, të prekura më thellë nga kjo krizë, kanë kuptuar se  integrimi dhe globalizimi i ka rritur përfitimet, por njëkohësish i kanë ekspozuar ekonomitë e tyre nga krizat globale.
Ekonomitë e tyre të integruara i kanë humbur kufijtë kombëtarë, tani efektet e zhvillimeve pozitive dhe negative globale i ndikojnë më shpejtë vendet e tyre në këtë dinamikë globale.
Kjo krizë na mësoi se vende të veçanta do të jetë e vështirë, e kushtueshme dhe ndoshta e pamundshme të përballojnë krizat e vendeve të tyre, pa një bashkëpunim dhe koordinim në nivel europian dhe global.
Irlandezët në këtë situatë të vështirë ekonomike ndoshta janë bindur se BE-ja është mundësia më e mirë për të përballuar krizën e tyre të vendeve të veçanta të saj.
Krizat konsiderohen një mundësi e re më shumë se sa një fatalitet i përhershëm, mundësia e re për Irlandën është vetëdija e re për domosdoshmërinë e Europës së Bashkuar, është vota po për ta mbështetur Europën, bile pa e vonuar sërish në sfidat e saj.
Po-ja e Irlandës do të jetë një mundësi e re që Bashkimi Europian të dalë nga kriza institucionale, që Europa e Bashkuar të jetë më unike dhe efektive në funksionimin e saj, që Europa në tërësinë e saj të jetë një fuqi më influente ndaj sfidave globale.
Pas miratimit të Traktatit të Lisbonës nga irlandezët, Brukseli do të jetë në sfidën e zgjerimit të hapësirave të paqes dhe prosperitet, testi i parë mbi tavolinën e tyre është Ballkani Perëndimor. Pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, Brukseli humbet çdo alibi për  vonesat, jo vetëm në zgjerimin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›