E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luani i Bashkisë dhe Kali i Skënderbeut

Edmond Tupja 

Një ditë prej ditësh, tek përshkruaja diagonalisht me biçikletë sheshin Skënderbe të kryeqytetit, gunga-gunga e gropa-gropa, që pret të rregullohet një perëndi e di se kur dhe nga kush, m’u kujtua një fabul e frëngut La Fonten të shekullit XVII me titull “Kur u plak Luani”, përmbajtjen e së cilës mund e duhet ta përmbledh shkurtimisht si vijon:
Luani, tmerri i pyjeve, një ditë na u plak dhe nisi të kujtonte me mall të përlotur kohën e trimërive të tij; ndihej fatkeq sepse shtetasit e vet, që dridheshin dikur para tij, nuk i trembeshin më; kështu, kali i binte me shkelma, ujku e kafshonte, kau e qëllonte me brirë, por kulmi qe kur erdhi për ta goditur edhe gomari, më frikacaku i frikacakëve: “Ah, ia bëri Luani, e dija që vdekje ka, por se do të vdisja kaq turpshëm s’ma merrte mendja!”.
M’u kujtua pikërisht kjo fabul dhe jo një tjetër, por për analogji kontrastive, sepse në këtë shesh, që është turpi i Tiranës, madje i Shqipërisë, aq i rrënuar, aq i lënë pas dore dhe aq mjeran më duket çdo mëngjes, madje në çdo orë të ditës (por jo të natës sepse errësira dhe efektet e ndriçimit ia fshehin bukur paraqitjen e vobekët), janë takuar ballë për ballë Luani i ri i Tiranës dhe Kali i vjetër i Skënderbeut. Si kështu? – mund të habitet me të drejtë lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës. Atëherë, po shpjegohem:
Prej disa kohësh, thuhet se, netëve pa hënë e pa shi, Skënderbeu e lë të lirë Kalin e vet të vjetër të çmpijë këmbët duke e zbritur nga piedestali dhe duke e lejuar të shëtisë në sheshin që mban emrin e tij. Mirëpo Kalit, nga që sheshi është gropa-gunga dhe gunga-gropa, i merren nganjëherë këmbët dhe rrëzohet; i revoltuar nga ky fakt, Skënderbeu, tek pa dritë një natë pa hënë e pa shi te zyra e Luanit të ri të Bashkisë, i quajtur ndryshe Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste, iu fut brenda këtij me gjithë kalë dhe iu lut që ta rregullonte sheshin sa më shpejt. Kur Luani i Ri i Bashkisë i mësoi se nuk kishte fonde për këtë, Heroi ynë Kombëtar nxori nga trasta e bajgave të kalit të vet, ku i kishte fshehur prej shekujsh, disa gurë të çmuar e monedha të florinjta, që u kishin shpëtuar kthetrave të turqve osmanllinj pas përdhosjes së varrit të tij në Lezhë si edhe babëzisë së Enver Hoxhës, dhe ia fali që t’ia rregullonte sa më shpejt e sa më mirë sheshin me emrin e vet të panjollosur. Por, thuhet, megjithëse Luani i ri i Bashkisë ia dha fjalën, asgjë nuk bëri, sepse qëlluan në mes zgjedhjet e 28 qershorit, kështu që, një natë pa hënë e pa shi, pasi u rrëzua nja dy-tri herë tek kalonte nëpër shesh, Kali i vjetër i Skënderbeut iu përvodh të zotit, iu fut Edi Ramës në zyrë dhe i dha një shkelm diku, atje ku kurrizi nuk quhet më kurriz, duke i kujtuar, me një hingëllimë mbretërore, premtimin e pambajtur. Ndryshe nga kali i fabulës së La Fontenit, Kali i vjetër i Skënderbeut i tregoi Luanit të ri e të fuqishëm të Bashkisë e të Partisë Socialiste se nuk i trembej atij dhe se nuk ishte as si kali, as si ujku, as si kau, edhe aq më pak si gomari i fabulës.
Prej disa kohësh, thuhet gjithashtu se një profesor i vjetër frëngjishteje, çun Tirone me diplomë Sorbone, që kalon gati çdo ditë – deri sa ta nxjerrin në pension – nëpër sheshin Skënderbe me biçikletën e tij rrakezhdrake, së cilës i kërcasin e i kuisin rrotat, pedalet, zinxhiri e shala nga gungat e gropat e panumërta e të pashmangshme, ka ndër mend t’i futet në zyrë dopiokryetarit Rama bashkë me biçikletën e tij për t’i kujtuar premtimin e pambajtur dhe, me atë rast, shkelmin e Kalit të vjetër të Skënderbeut, si edhe për t’i dhuruar përkthimin që i ka bërë fabulës së La Fontenit duke shpresuar se, pas leximit dhe rileximit të vëmendshëm të saj, dopiokryetari nuk ka për të harruar se një ditë, sado e largët qoftë ajo, do të plaket ashtu si Luani i fabulës, dhe se atëhere kuajt, ujqërit, qetë dhe, sidomos, kryesisht dhe veçanërisht gomarët e partisë së tij, do t’i sulen t’i lenë si kujtim shenja shkelmash, brirësh e dhëmbësh. Thuhet, së fundi, se pikërisht atë ditë fatkeqe të pashmangshme, profesori i moçëm i frëngjishtes ka vendosur t’i dalë në krah Luanit plak, dikur, në rini, kryetar bashkie e partie njëherazi, për ta mbrojtur nga sulmet e pabesa të ish-vartësve të tij të paskrupuj, qofshin ata kuaj (por jo si ai i Skënderbeut), ujqër, qe dhe, siç pritet, gomarë të një race të papërfytyrueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›