E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgje të tmerrshëm për huliganët

Huliganizmi do ta marrë dënimin e merituar në Euro 2012. Huliganët dhe tifozët e dehur do të kalojnë net ‘ferri’ në burgjet e Ukrainës dhe Polonisë, nëse shkaktojnë probleme gjatë Kampionatit Evropian. Mediat britanike zbulojnë detaje rreth gjendjes dramatike të burgjeve dhe trajtimit të ‘egër’ të problemnxitësve.

Huliganët dhe tifozët pijanecë do ta shohin veten në një gjendje të palakmueshme, nëse bëjnë probleme gjatë Kampionatit Evropian të futbollit, i cili mbahet vitin tjetër në Ukrainë dhe Poloni. Tabloidi britanik ‘Mirror’ ua ka dedikuar një tekst të veçantë burgjeve në vendet organizatore, të cilët janë në gjendje të mjerueshme.

Anglezët njihen për huliganizmin e tyre, kur dalin jashtë vendit dhe ky vend është i shqetësuar për këtë fakt, pasi që rreth 100 mijë tifozë nga Anglia do të shkojnë t’i përcjellin ‘Tre Luanët’ në Ukrainë dhe Poloni.

‘Gjendja e burgjeve në përgjithësi në Ukrainë dhe Poloni është dramatike. Këtë gjendje e kishte dënuar edhe Amnesty International në vitet e kaluara. Po ashtu, nuk pritet ndonjë tretman i veçantë për tifozët që do të përfundojnë në burg për shkak të dehjes”, shkruan ‘Mirror’ i cili nuk ndalet me kaq.

Sipas këtij tabloidi, huliganët, mbi të gjitha ata të dehur, rrezikojnë të trajtohen në mënyrë të vrazhdë. “Ata mund të lidhen për shtrati, por edhe të detyrohen të bëjnë dush me ujë të ftohtë për orë të tëra. Është një alarm i kuq. Ose ndoshta një mënyrë e mirë që të paralajmërohen tifozët problematikë për ato që i gjejnë në burgje”, përfundon shkrimin ‘Mirror’.

Ndërkohë, Ukraina dhe Polonia po punojnë t’i zhdukin gjërat negative që i përshkojnë këto dy vende. Ato po punojnë në shumë aspekte, ndërsa njëri që vlen të përmendet është fakti se po mundohen t’i zhdukin qentë endacakë dhe të shumtë të rrugës për ta pasur një imazh më të mirë në Evropë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›