E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgjet, bie kërkesa për hetim të brendshëm

Anëtarët e Komisionit të Sigurisë, nuk pranojnë mendimet e Alibejat për policinë e burgjeve

TIRANË

- Komisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, i thotë jo kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për t’i dhënë Policisë së Burgjeve kompetencat edhe të Policisë Gjyqësore. Me shumicë votash, komisioni ka rrëzuar propozimin e bërë nga zëvendësministri i Drejtësisë, Viktor Gumi, për të përfshirë në nenin tre të projektligjit që po diskutohet në Kuvend, edhe të një pikë tjetër, ku të sanksionohej e drejta e Policisë së Burgjeve për të hetuar vetë të gjitha ngjarjet që ndodhin në burgje. Sipas deputetëve të këtij komisioni, si të djathtë ashtu edhe të majtë, një propozim i tillë është i papranueshëm për vetë faktin se në rast se do të realizohej një gjë e tillë, do të krijohej një përplasje mes dy policive, asaj të shtetit dhe Policisë së Burgjeve. “Nuk mund të pranohet një amendament i tillë, pasi në radhë të parë do të fusë në konflikt dy policitë. Së dyti, do të krijojë neglizhenca tek Policia e Burgut për të lajmëruar Policinë e Shtetit, për secilin rast që përbënë objekt hetimi në burg”, - tha Çipa. Por, sipas drejtorit të Policisë së Burgjeve, Shpëtim Baçi, nuk bëhet fjalë për një kompetencë të plotë, por vetëm për t’i krijuar mundësi kësaj policie për të ruajtur provat deri në momentin që do të vijë Policia e Shtetit. Sipas tij, një ndryshim i tillë është bërë i domosdoshëm pasi, shpeshherë, Policia e Shtetit dhe prokuroria janë paraqitur në burgje, edhe tri ditë pas ndodhjes së një ngjarjeje që duhet hetuar. Për këtë ai ka sjellë rastin e revoltës së burgut të Fushë-Krujës, apo edhe ngjarjen e burgut të Burrelit. “Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë ardhur me shumë vonesë në rastin e Fushë-Krujës, ku të dënuarit ishin në revoltë, ndërsa prokuroria ka ndërhyrë pas dy-tri ditësh”, - u shpreh drejtori i Policisë së Burgjeve, Shpëtim Baçi. Por, pavarësisht këtij argumenti, komisioni ka vendosur të mos e pranojë këtë propozim, duke miratuar projektligjin ashtu siç është paraqitur në fillim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›