Burgjet, ekspoze vlerash njerëzore me punimet e të dënuarve
Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në sallën e ekspozitave tek Muzeu Historik Kombëtar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizoi dje aktivitetin “Ekspoze vlerash njerëzore”, me punimet më të mira artistike të personave me liri të kufizuar. Ky aktivitet pasqyron punën njëvjeçare krijuese të kryer nga vetë të paraburgosurit dhe të dënuarit. Në takim kanë qenë të pranishëm drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, drejtuesit e burgjeve në vend, si dhe vetë të dënuar që kishin punuar disa nga punimet e ekspozuara. Aktivizimi i tyre në të tilla aktivitete, sipas organizatorëve, është në funksion të objektivave dhe vizionin e sistemit penitenciar për rehabilitimin dhe riintegrimin e personave me liri të kufizuar. Në fund të aktivitetit u ndanë disa çmime për punimet më të mira. Çmimi i parë për burrat është fituar nga burgu i Rrogozhinës, një anije e madhe me vela e punuar nga të dënuarit. Çmimi i parë për gratë është fituar nga të dënuarat e burgut 325, ndërsa çmimi i parë për minorenët është mundësuar nga UNICEF-i dhe është dhënë për minorenët e burgut Vaqarr. Sipas kreut të burgjeve, Dibra, çdo qenie njerëzore përmban vlera të jashtëzakonshme. Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut na ndihmon që të njohim dhe të respektojmë këto vlera fondamentale për të gjithë. Natyrisht që personat me liri të kufizuar nuk janë të përjashtuar. “Edhe ata si çdo qenie njerëzore kanë të drejtën të shpalosin talentin dhe vlerat e tyre. Aktiviteti “Ekspoze vlerash njerëzore” pasqyron punën njëvjeçare krijuese të kryer nga vetë të paraburgosurit dhe të dënuarit. Tashmë është bërë traditë vlerësimi i punimeve të dënuarve”, - tha Dibra.