E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata e kryeministrit, ankth në selinë e PS-së

Deklarata e Kryeministrit Berisha mesditën e djeshme për Kodin Zgjedhor ka shqetësuar mjaft socialistët. Në pritje të nisjes së mbledhjes së grupit parlamentar socialist, deputetët e paktë që ishin aty, të ndarë në grupe komentonin duke i ndjekur nga televizori deklaratat e Kryeministrit që fliste për kompromis mes PS-së e LSI-së për kodin. Pavarësisht faktit se sa i prekte personalisht deputetët u munduan të gjenin arsyet e deklaratës së tij, duke dhënë analiza politike nga këndvështrimet më të ndryshme. Së pari ata e shihnin këtë si një goditje të pastër ndaj Edi Ramës, kreut të PS-së, që pas kësaj i bie të mbajë gjithë përgjegjësinë për problemet që mund të ketë në administrimin e zgjedhjeve. Socialistët janë më të interesuar se kushdo që Kodi Zgjedhor të miratohet sa më shpejt. Shtyrja sa më shumë e tij shton frikën tek PS-ja se përpjekjet e LSI-së mund të krijojnë hapësira për kërkesat e saj. Në këtë pikë, kur Kryeministri për herë të parë u shpreh pro dialogut mes LSI-së e PS-së, paniku dhe shqetësimi ka zënë vendin e sigurisë. Por me nisjen e mbledhjes së grupit parlamentar, zërat u shuan. Çështja e Kodit Zgjedhor nuk u përmend më tej. Ndërkohë që asnjë prej deputetëve nuk kërkoi shpjegime për të. Qëndrimet mbi Kodin Zgjedhor mbeten e drejtë direkte e kreut të PS-së, ndaj dhe deputetët janë mësuar tashmë që të mos pyesin për çështje, mendimi për të cilat nuk u merret në konsideratë. Ndërkohë nga selia rozë dje nuk pati asnjë reagim zyrtar ndaj ndërhyrjes së Kryeministrit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›