E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Ligje të forta për të mbrojtur gratë

Në 60-vjetorin e Kartës Ndërkombëtare Universale për të Drejtat e Njeriut, ambasadori amerikan Xhon Uidhers, mbajti dje një leksion mbi të drejtat e njeriut dhe veçanërisht të grave me studentë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Ambasadori amerikan tha se në Shqipëri është shkelje e hapur e të drejtave të njeriut trafikimi dhe shfrytëzimi i grave për qëllim prostitucioni. Ai tha se është detyrë e qeverive të krijojnë mekanizmat ligjorë për mbrojtjen e këtyre shtresave dhe luftën kundër fenomeneve të tilla. Kryediplomati i SHBA-së kërkoi që qeveritë të hartojnë ligje që të ofrojnë mbrojtje për gratë e abuzuara që kërkojnë drejtësi. “Këtu në Shqipëri, çdo vit njerëzit detyrojnë gratë të hyjnë në rrugën e prostitucionit apo i trafikojnë ato. E dimë se sot kudo në mbarë botën gratë i nënshtrohen dhunës kudo ku jetojnë”, - tha Uidhers. Uidhers shtoi: “Kur dëgjoj për raste të tilla, bëj pyetje pse njerëzit nxjerrin në pah karakterin më të keq të tyre. Pse njerëzit shohin ngjyrën e lëkurës së një personi dhe gjejnë aty arsye për të urryer? Pse shohin një person me orientim të ndryshëm seksual dhe gjejnë një arsye për të diskriminuar? Pse burrat shohin sytë e grave dhe gjejnë arsye për të abuzuar?” Ambasadori amerikan vazhdoi leksionin e tij para studentëve, duke theksuar se nuk ekziston e drejta universale për të diskriminuar dhe abuzuar. Në këtë kuadër ai kërkoi ligje të forta nga qeveria shqiptare apo çdo qeveri respektive ku gratë dhunohen dhe u shkelen të drejtat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›