Festat e fundvitit, qeveria, 5 mijë lekë shpërblim për pensionistët
Qeveria kursen xhepat e buxhetorëve dhe 800 mijë pensionistëve në mbarë vendin për festat e Vitit të Ri. Shpenzimet do t’ua mbulojë qeveria përmes një shpërblimi simbolik, vendim të cilin e njoftoi dje Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Për pensionistët z. Berisha premtoi se do të marrin një shpërblim prej 5000 lekësh, ndërsa për administratën publike shpërblim nga 10 mijë lekë deri në një rrogë të plotë. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Berisha njoftoi se qeveria do të akordojë dhënien e shpërblimit të fundvitit pensionistëve në masën 5 mijë lekë dhe punonjësve të administratës publike nga 10 mijë lekë deri në një pagë. Duke e cilësuar këtë vendim “kartolinën e qeverisë për festën e fundvitit”, Kryeministri Berisha tha se nga ky vendim përfitojnë rreth 800 mijë familje shqiptare, punonjës të administratës, institucioneve publike dhe pensionistëve të të gjitha kategorive, në qytet dhe fshat. “Ne, - tha ai, - ndërmarrim këtë akt tradicional për këtë qeveri si një vullnet të qeverisë për t’u uruar Vitin e Ri qytetarëve të vendit jo vetëm me fjalë, por edhe me një shpërblim në fund të vitit, me të cilin bëhet i paqenë inflacioni, që ishte në nivelet më të ulëta prej 2.6 për qind”. Në këtë mënyrë, sipas Berishës, ata lehtësohen dhe kursimet e tyre nuk preken shumë për të festuar Vitin e Ri. Kryeministri theksoi se shpërblimi i fundvitit për pensionistët në masën 5 mijë lekë nuk përfshihet në rritjen e njoftuar të pensioneve në 1 maj. “Pensionistët, - tha Kryeministri, - në mbarë vendin do të marrin një shumë prej 5 mijë lekësh, kudo që ndodhen dhe të të gjitha kategorive”. Ai vuri në dukje se kjo shumë nuk llogaritet në rritjen e premtuar të pensioneve. Kryeministri bëri të qartë se rritja e pensioneve në datën 1 maj do të jetë 20 për qind për pensionet në fshat dhe 10 për qind për pensionet në qytet. “Ndaj dhe shpërndarja e lajmeve nga zyrat e “dëshpërimit” se nuk ka lekë për rritjen e pensioneve, më lejoni t’i siguroj 520 mijë pensionistë shqiptarë se lekët ekzistojnë dhe pensionet në 1 maj, për 170 mijë pensionistë në fshat do të kapin dyfishimin e tyre dhe për 260 mijë pensionistë në qytet pensionet rriten nga 40 deri në 70 për qind në 4 vjet, duke tejkaluar në këtë mënyrë të gjitha premtimet tona që për pensionet në qytet ka qenë pensione jo më të vogla se 100 dollarë”, - deklaroi z. Berisha. Ndërsa për administratën publike, Kryeministri pohoi se si rezultat i miradministrimit në fondin e pagave, shpërblimi do të jetë nga 10 mijë deri në një pagë. Edhe këtë vit qeveria ka në vëmendjen e saj administratën publike, e cila do të shpërblehet jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se dyfishim i pagës dhe kjo me përparësi absolute për pagat e ulëta. Sipas Berishës, nëse nga miradministrimi ka teprica në fondin e pagave, edhe përmbi pagat e ulëta limiti për administratën do të jetë jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se një pagë dhe me këtë kemi dalë nga rregulli i një viti më parë, kur shpërblimi ka qenë vetëm 10 mijë lekë. “Shpresoj që me miradministrimin e fondit të pagave që është bërë, të shpërblejmë me një pagë të veçantë, në radhë të parë, ata që janë më në nevojë, me paga të ulëta dhe ata që kanë më shumë fëmijë”, - theksoi Kryeministri Sali Berisha. Në gjykimin e tij, ky është një qëllim konstant i qeverisë dhe nuk ka të bëjë me asnjë qëllim tjetër përveç shërbimit dhe shërbesave dhe zemrës së dhembshur, parime nga të cilat ne nuk tërhiqemi për sa kohë do të jemi në pushtet, për sa kohë do të na votojnë qytetarët, për sa kohë të na besojnë të rinjtë, të rejat, gratë, burrat, të moshuarit e këtij vendi”.