E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgu i Fushe-Krujes te denuarit kunder reduktimit te shpenzimeve

Masat e marra nga burgu i Fushë-Krujës lidhur me reduktimin e shpenzimeve operative të institucionit dhe me rritjen e elementeve të sigurisë, duket se nuk janë mirëpritur nga disa të burgosur.

Këta të fundit, e kanë refuzuar ushqimin e institucionit dhe kanë konsumuar vetëm ushqimin e sjellë nga familjarët.

Lidhur me këtë grevë të të burgosurve ka reaguar me anë të një deklarate për mediat, drejtoria e përgjithshme të Burgjeve ku sqaron se masat konsistonin në përcaktimin e një norme ushqimore që do të lejohej të futej në regjimin e brendshëm nga familjarët, lejimin e një mjeti komunikimi, 1 televizori, 1 manjetofoni,1 dixhitalbi për çdo qeli dhe jo më shumë, si dhe lejimin e një pajisjeje freskuese dhe ngrohëse për dhomë.

Sipas drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve asnjë i burgosur që ka refuzuar ushqimin nuk ka nënshkruar asnjë peticion për grevë urie në mënyrë që institucioni të ndërmerrte masat sipas ligjit “Për zhvillimin e grevave të urisë”.

Takimet me familjarët e të burgosurve kanë vijuar normalisht dhe numri i personave që kanë refuzuar ushqimin është ulur dhe gjendja është normale.

Vetëm pak ditë më parë është ndërruar edhe kreu i burgut të Fushë-Krujës pas tentativës për arratisje të disa të burgosurve të cilët u kapën në kohë nga rojet e sigurisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›