E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgu të bën me zemër, 225 të sëmurë kardiakë

Burgu të bën me sëmundje zemre! Ky duket se është efekti që pësojnë në shëndetin e tyre të dënuarit që mbahen në burgjet shqiptare. 

 Sipas të dhënave zyrtare nga burgjet, nga numri total i të sëmurëve, pjesa më e madhe e tyre kanë probleme kardiake. Në burgje mbahen 675 persona të sëmurë me probleme shëndetësore, nga të cilët 19 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri dje publike të dhënat, sipas të cilave në institucionet shqiptare të vuajtjes së dënimit, pjesa më e madhe e të dënuarve, konkretisht 225 prej tyre, vuajnë nga problemet kardiake. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se në të gjitha burgjet, përfshirë edhe Spitalin e Burgjeve në Tiranë, aktualisht numërohen për probleme mendore 291, nga këta 74 persona me mjekim të detyrueshëm. Burimet thanë se për t'i ardhur në ndihmë të sëmurëve që mbahen të privuar nga liria, është në proces tenderimi një repart reanimacioni në Spitalin e Burgjeve në Tiranë, i cili pritet të ketë ndikim në përmirësimin e shërbimit shëndetësor në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Masat
Drejtoria e Burgjeve tha se për të marrë masat e saj lidhur me këtë situatë, ka filluar për herë të parë depistimi i të dënuarve lidhur me sëmundjen e tuberkulozit, një proces që po zhvillohet në bashkëpunim me OBSH-në. "Ky depistim ka filluar për herë të parë në burgun e Lezhës, ku janë depistuar 400 veta në bashkëpunim dhe me dispanceritë e rrethit të Lezhës. Është planifikuar që ky depistim të realizohet për 4000 persona, gjithmonë duke respektuar vullnetin e lirë të personit", thanë burgjet. Sipas tyre, në ndryshim nga të gjitha vitet e kaluara, stafi shëndetësor është trajnuar dhe po trajnohet nga Shoqata Stop/AIDS mbi sëmundjen e SIDA-s. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se trajnimi i stafit mjekësor në këtë drejtim po bëhet në mënyrë që ata të dinë si të trajtohen rastet e këtyre sëmundjeve tek të dënuarit, por edhe që t'i këshillojnë ata për mënyrën se si duhet vepruar për t'i shpëtuar sëmundjes së SIDA-s.
Kritikat
Sistemi i burgjeve dhe i paraburgimit është kritikuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, veç të tjerave edhe për trajtimin e sëmundjeve nga të cilat vuajnë personat e privuar nga liria. Verifikimet e Avokatit të Popullit, Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, në disa raste kanë zbuluar mungesën e stafit mjekësor në burgje dhe paraburgime, si dhe faktin se këto institucione nuk kanë qenë të pajisura me mjetet dhe medikamentet e nevojshme për mjekimin e problemeve shëndetësore të personave që mbaheshin aty. Drejtoria e Burgjeve tha dje se këtë vit është arritur të kompletohet në çdo institucion të varësisë, stafi i nevojshëm me mjekë të specializuar për ndjekjen e gjendjes së personave të privuar nga liria. Për këtë burgjet kanë nënshkruar marrëveshje edhe me disa prej spitaleve kryesore që gjenden pranë burgjeve ose paraburgimeve, në mënyrë që mjekët të ofrojnë ndihmën e tyre për të dënuarit dhe të paraburgosurit me probleme.                           tr.so

Të sëmurët në burgje

675 persona të evidentuar me probleme shëndetësore
384 persona janë të sëmurë kronikë
225 të dënuar janë me probleme kardiake
41 persona të sëmurë me diabet
19 persona janë të sëmurë rëndë
6 persona, me sëmundje pulmonare dhe reumatizmale
291 të dënuar me probleme të shëndetit mendor
74 prej tyre me mjekim të detyruar
400 persona të depistuar për tuberkuloz
4 mijë të dënuar do të depistohen

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›