E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Kastratit, vëllezërit Rexha në gjyq: Na varni nëse jemi fajtorë

TIRANE - “Na varni në litar nëse mendoni se jemi fajtorë. 

Nuk duam asnjë dënim tjetër. Por po ju themi që jemi të pafajshëm. Nuk e kemi vrarë ne Behar Kastratin, gjë që u vërtetua edhe gjatë gjykimit të çështjes. Na jepni drejtësi". Këto ishin fjalët e fundit të dy vëllezërve Abedin dhe Qamil Rexha, të akuzuar për rrëmbimin me pasojë vdekjen të mjekut hasjan Behar Kastrati, pesë ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005. Po të njëjtat fjalë tha edhe i bashkëpandehuri me ta Brahim Geca, personi që pranoi fillimisht akuzën në polici, duke u bërë shkaktari i arrestimit të dy vëllezërve Rexha. Seanca e djeshme ishte e fundit e vënë në dispozicion të mbrojtjes, ndërsa tjetrën, që do të jetë pas një jave, pritet që gjykata të shpallë vendimin. Dy vëllezërit me origjinë nga Hasi dhe banues në fshatin Katund i Ri në Durrës, u prangosën në nëntor të vitit 2005, ndërsa ndodhen në qeli prej rreth tre vitesh. Ndërkohë, sipas Prokurorisë, dy vëllezërit Rexha mendohet se në bazë të informacioneve që u ka dhënë nipi i tyre i largët Brahim Geca, kanë rrëmbyer Kastratin në kohën që ai po kthehej në mesnatë në shtëpi, pasi kishte qëndruar te lokali i vëllait të tij. Pas zhdukjes së tij, rreth dy muaj më vonë trupi iu gjet në liqenin e Fierzës, pranë urës së fshatit Klosh, ku pasi ishte vrarë, ai ishte lidhur në dy shtylla betoni me tel dhe ishte hedhur në një gropë të thellë në liqen. Por ulja e nivelit të ujit bëri që peshkatarët të zbulonin trupin. Që në momentin e arrestimit, dy vëllezërit Rexha mbajtën qëndrim mohues ndaj akuzës, duke pretenduar se ishin të pafajshëm. Në fakt, edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, prova kryesore në ngarkim të tyre ishte dëshmia e të bashkëpandehurit me ta, Brahim Geca, i cili më pas gjatë gjykimit e tërhoqi këtë, duke pretenduar se kishte folur nën dhunë. Si motiv për krimin e rëndë, sipas Prokurorisë, mendohet se është një hasmëri e vjetër midis familjeve Rexha dhe Kastrati. Në vitin 1994 ka vdekur në spitalin e Hasit një nga vëllezërit e Abedin dhe Qamil Rexhës, ndërsa këta akuzonin si shkaktar të kësaj mjekun Kastrati, i cili ndodhej mjek-roje në kohën kur aty mbërriti me urgjencë vëllai i tyre. Prokuroria pohon se plani për zhdukjen e mjekut ishte përpiluar prej kohësh nga vëllezërit Rexha, ndërsa u krye pak ditë pas zgjedhjeve, duke shfrytëzuar situatën e ngarkuar të ndryshimit të pushtetit.               fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›