Burrat e majmë të Kuvendit, burrat kockëdalë të Bulqizës...
Sado e rëndësishme dhe e drejtë të jetë ajo që ndodh në parlament, është pamoralshme përballë asaj që ndodh në Bulqizë... Unë nuk e kam qejf numërimin e të vdekurve dhe të plagosurve, por bashkë m atë të sotmin (që u plagos duke gërmuar pasi i ra kazma në granatë, po në Bulqizë), duhet të bëhen më shumë se një duzinë viktimash të Bulqizës dhe në një farë forme askush nga këta burra (që pa bërë ironi, por me keqardhje them se kanë boll dhjamë për të tretur), nuk u fut në grevë urie për ta...
As kur ata (minatorët) bënë grevë, nuk është se pamë ndonjë përkrahje të paparë prej këtyre burrave të majmë të Kuvendit për burrat kockëdalë të Bulqizës. Njëri prej tyre, vetëm para pak kohësh ishte ministër i Shëndetësisë. Ju kujtohen spitalet pa barna dhe në krizë dhe tendera që nuk bëheshin? (bashkë me të duhet të jetë edhe ai zv. ministri i rrugëve të paguara e të panisura, ai që ra në burg dhe u lirua pas ca muajsh). Madje po të pyesësh thellë-thellë, rrezik të del që koncesionet për minierat, andej mund t’i ketë dhënë edhe ndonjë ish-Kryeministër grevist...
Edhe pse e shoh krejt të drejtë mbrojtjen e një kauze politike, cilado qoftë ajo, sërish greva më duket hipokrite përpara asaj gruas bulqizake me gurë në shpinë që duket në fotot e botuara dje në Yahoo News për Bulqizën...
Përveç kësaj, ka dhjetëra forma të tjera, shumë më pak radikale se një grevë urie dhe pamje të "përshpirtshme" me njerëz që ulërasin në rrugë “për demokracinë”.
Grevistët do të kishin forma të tjera për të përfituar edhe me një ligj elektoral "të pafavorshëm" për ta, (ligje të ngjashme ka në mjaft vende me demokraci të dëshmuar bindshëm, p.sh., Britania, por nuk bën njeri grevë urie atje), përsëpari të hidhnin në treg platforma apo të kryenin fushata shumë më bindëse se kundërshtarët.... P.sh.: Një "grevë urie" (por jo medoemos) kundër koncesionarëve të padrejtë të minierave, apo kundër ndërtuesve të këqinj, zaptuesve të hapësirave të blerta, etj., etj... Një fushatë agresive kundër këtyre do t’u rriste profilin politik, apo jo...
D.m.th., gjithmonë, nëse është e mundur që një profil politik të rritet, sepse nuk mundet që një ish-ministër Shëndetësie, që lë kolltukun pas një dështimi mizerabël, në mos më keq, të hidhet përpjetë për problemet në shëndetësi se, siç thonë shqiptarët s’ka gojë të flasë. Aq më keq akoma kryeministra apo ministra “të majtë” që kanë lëshuar koncesione si ato të Selenicës, p.sh., ku vdiqën po aq minatorë sa në Bulqizë dhe që kurrë nuk u interesuan nëse aty kishte apo jo kushte teknike, njësoj siç bën qeveria “e djathtë” sot.