Burrat e shtetit vlerësohen nga gjurmët...
Kushdo që ka rastin të vizitojë Parisin, do të përballet me objekte të rëndësishme socio-kulturore të përmasave të mëdha, të cilat parizienët i kanë të lidhura me emrat konkretë të Presidentëve apo Kryeministrave, që kanë qenë në vite në krye të Francës. Çdo president apo kryeministër ka lënë "gjurmët" personale jo vetëm në politikën, ekonominë, historinë dhe zhvillimin vendit, por me emrat e tyre janë të personalizuara dhe objekte të rëndësisë së veçantë që përbëjnë krenari për Parisin, që i shtohen objekteve pafund që ky qytet ka të trashëguar në shekuj.
Vetë francezët presin nga kushdo që vjen në pushtet, të ketë një ide të madhe ndërtuese, estetike apo arkitekturore, e cila që të jetë e përfunduar brenda mandatit të tij qeverisës. Këtë "tabu franceze" e ndesh në realitetin e objekteve, që parizienët më shumë se i flasin me emrat e tyre, i lidhin me emrat e presidentëve që i ideuan dhe realizuan ato. Francezët edhe sot e shajnë dhe mburrin presidentët e së kaluarës, për "gjurmët" që kanë lënë në Paris. Edhe sot nuk është mbyllur llafollogjia franceze për dy objektet e ndërtuara nga Presidentët D'Esten dhe Miteran. "Ture de Montparnas", një grataçelë gjigante, 220 metro e lartë, me 59 kate, nga maja e së cilës kur është kohë e mirë shikon rreth 40 km larg, bashkë me Galerinë gjigante "La Fajet" dhe Piramidën e "Muzeut të Luvrit", apo Bibliotekën madhështore të Parisit, të ndërtuara nga presidenti Miteran.
A është e mundur që këtë praktikë ta quajmë të mirë dhe të përpiqemi ta kultivojmë edhe ne ? Besoj që po. Nuk ka asgjë të keqe që burrat tanë të shtetit të mendojnë që krahas ndërtimeve të thjeshta urbane, të ndërtuara nga biznesi privat, të ndërmarrin iniciativa të mëdha ndërtuese për të krijuar vepra të rëndësishme në përmasa të mëdha, që njëkohësisht t'i shërbejnë jetës së vendit, por dhe të mbeten si gjurmë të lidhur me emrin e tyre. Këto iniciativa nominale me përmasa dhe ambicie personale janë të domosdoshme, sepse bëjnë që të përqendrohen fondet, investimet nëpër objekte të veçanta, të cilat do të mbeten për një kohë të gjatë, të lidhura natyrisht bashkë me emrin e ideatorëve të tyre.
Kanë kaluar 17-vjet demokraci dhe në pushtet kanë qenë disa Presidentë dhe dy apo tri herë më shumë Kryeministra dhe ende një gjurmë të iniciativës personale të tyre, për të ndërtuar diçka të rëndësishme, të përmasave të mëdha, me vlerë strategjike, ende nuk po e shohim. Një jetë politike e trajtuar në formën e një "mandati të shtrirë" pa kurba, sfida dhe ambicie për të bërë diçka të veçantë, është një mandat ekstensiv, i cili me kalimin e kohës do të humbasë gjurmët, në historinë që gjithnjë e më shumë do të bëhet më anonimizuese në të ardhmen. Sot bëhet fjalë për iniciativa më të mëdha të burrave të shtetit, në kushte të reja dhe me mundësi më të mëdha. Ajo që dëshiroj të theksoj si qytetar, është ideja që njerëzit e pushtetshëm të këtij vendi, ta shikojnë pushtetin jo vetëm si "kohë lineare" që rrjedh pa lënë gjurmë, por si një kohë që nuk përsëritet, që nuk vjen më, as për ata si pushtetarë të mëdhenj, por as për ne si qytetarë. Në këtë kontekst, do të ishte fare e dobishme për ta si liderë politikë, por edhe për ne si qytetarë, që të mësojmë se nga secili mandat presidencial apo kryeministror do të presim gjëra të veçanta, si "gjurmë" që do të mbeten në memorien popullore, të lidhura me emrin e tyre personal.