Gustav Meyeri pa rubë
Kush ishte dhe çfarë dha për shqipen ky albanolog rilindas. Me rastin e botimit të "Fjalori Etimologjik i Shqipes" dhe një takim i vonuar me njeriun Gustav Meyer. Edhe pse jep dorë në tezën e autoktonisë së shqiptarëve, bëhet i sikletshëm për shkencën e re shqiptare. Versanti i latinitetit në veprën e tij u përkthye në Shqipërinë e pas '44-ës, si prirje për oksidentalizëm
"Gustav Meyeri mund të quhet themeluesi i albanistikës. Me veprat e tij, me Fjalorin etimologjik (1891), me Gramatikën e shqipes (1888) e me Studimet shqiptare (I-VI), ky dijetar është edhe themeluesi i albanistikës".
"A ka nji verigë që e lidh shqipen t'onë të soçme me indoevropishten mijvjeçare? Nji kompetent i madh si Gustav Meyer-i, ma i madhi Albanolog i shekullit të kaluem, vjen e e vërteton plotsisht dhe themelon mbi tê të tanë veprimin e tij për gjuhën shqipe. E ç'fat i keq për gjuhën t'onë vdeka e tij aq e pakohshme".
"Meyer-i ashtë ma i madhi përfaqsues i albanologjis të shekullit t'kaluem, dhe bashkë me Pedersen-in dhe Jokl-in formon triadën albanologjike. I shtym prej Schuchardt-it i u kushtue me gjithë shpirt gjuhësìs shqipe".
Radhët e mësipërme shkruar përkatësisht nga E. Çabej, M. Kruja e J. Rrota nuk lenë vend për mëdyshje, ashtu siç davaritet pakjartësia e një shtatoreje kur, n'përurim të saj, ajo zblohet nga ruba me të cilën mbahej mbështjellë. Rubë veç mbi Meyerin? Më gjanisht, ky njegullim i deritashëm i kësaj figure pat rezultuar si njëfarë rube mbi shqiptarinë vetë. Personalisht i takoj atij brezi studentësh për të cilët s'patën ekzistuar kurrë punëtorë të gjuhësisë si Matì Logoreci, Ndre Mjedja, Jeronim De Rada, Mustafa Kruja, Nikoll Gazulli, Justin Rrota, Karl Gurakuqi e Martin Camaj, e sakaq do punëtorë të tjerë, vijues të t'lartpërmendurve, zëra të kthjellët e të sinqertë si Eqrem Çabej, Aleksandër Xhuvani, Kolë Ashta e Pashko Geci, kishin ndërru jetë. Këto vakume, të krijuara kund me hir e kund me pahir (ofshé!), afërmendsh patën shkaktuar në dijen tonë mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët edhe do gjeratore të rrezikshme, në thellësitë e të cilave thuajse u patën mbytë një mori figurash të tjera; e ndër to edhe Gustav Meyer.
I pasjellë kurrë në shqip, përpos ndonjë fillese ndërmarrë në rizgjim të filologjisë shqiptare aty nga vitet Tridhjetë, Meyeri u cilësua më së shumti nga shkenca jonë e mëpastajme si një qëmtues veçuar i të dhënave mbi shqipen, apo si dikush që, gjithsesi, paskësh njohur veç enklavat dhe paskësh jetuar po ashtu brenda qerthullit të hulumtimeve vetanake. A përnjimend qe kaq i veçuar Gustav Meyeri? A vërtetë ishte kaq i izoluar objekti i studimeve të tij? Ndalemi dorësëpari tek ai vetë.
Sikundër u dëshmua më lart, Meyeri qe produkt intelektual i Schuchardtit të madh si dhe vijues i Hahnit, për ne ende më të madh. Albanistika e Meyerit, siç dëfton vetë vepra e tij, merr shteg aty nga viti 1881 nxitur kryesisht nga "Albanesische Studien" e von Hahnit, që ish përshfaqë më 1854. Vërtet se landorësia e studimeve të tij bunon kryesisht prej diasporave të Italisë, Greqisë e Dalmacisë, porse marrëdhëniet pishtullare të Meyerit me shqiptarë e arbëreshë ishin tejet të shpeshta; sa për një shembull: vetëm nga Ndré Mjedja rezulton se ai ka marrë mbi një dyzinë letrash me natyrë linguistike në periudhën 1892-1893, pra afro një letër në muaj. E po ashtu, dihet se Meyeri kishte raport pishtullar dhe me figura si Kristoforidhi, Skiroi, Kamarda, Noqiti, Dozoni, Mitko, Kampareti, De Rada, Beri etj. etj. Brendia e tyre dëfton se ata nuk shkëmbenin veç konsiderata, por edhe lëndë burimore shqipe. Diçka aspak e re kjo për albanistët tanë t'asaj kohe, mjaft të kujtojmë Nikoll Gazullin që mbante letërkëmbim të rregullt, për vite me radhë, me Norbert Joklin për punë të shqipes - letërkëmbim që i takon periudhës kur përkatësisht shqiptari ynë punonte për "Fjalorin e Fjalëve të Rralla", e m'anë tjetër austriaku hartonte "Fjalorin Etimologjik të Shqipes".
Të tilla dëshmi për këmbime të ndërsjella literature, gjykimesh shkencore apo dhe landorësie gjuhësore ka edhe në letrat e Meyerit. Pra del vetiu se "themeluesi i albanistikës", jo vetëm që nisi punën mbi një truall të pamistifikuar siç qe vepra e Hahnit dhe Miklosichit, por hulumtimet e tij nuk u zhvilluan aspak të shkëputura nga mendimi bashkëkohës shqiptar.
Po për objektin e studimeve të tij ç'mund të thuhet?
Nëse vihen bashkë teserinat shumëngjyrëshe të mozaikut që trashëgojmë nga Meyeri, ajo çka shkakton dorësëpari admirim e mirënjohje është spektri tejet i gjerë i dijes së tij arbënore. Njëqindedhjetë vjet nga sot, me dorë të Meyerit u botua për herë të parë (!) një fragment nga Eposi i Kreshnikëve, duke u shoqëruar sakaq edhe me një studim krahasimtar mbi tiparet e qenësishme të epikës legjendare të shqiptarëve. Përfundimi i Meyerit qe se qoftë për nga mosha, qoftë për nga estetika e këngës, ky epos shkon krahpërkrah me Das Nibelungenlied apo me La Chanson de Roland. E kjo nuk qe thjesht një regtimë folklorike në opusin e Meyerit; pas këtij pesëmbëdhjetëvargëshi ai botoi në Fletoret e veta edhe një mori këngësh popullore, përrallash, legjendash e proverbash, gjithë me bindjen se studimi dhe rindërtimi i evolucionit të shqipes, e i gramatikës së saj nuk mund të kryhej pa këto materiale burimore. Si profesionist, ai kish vetëdije të fortë për rolin e tij në kuadër të albanistikës që po lindte, dhe për rrjedhojë s'mund t'i lejonte vetes kurrfarë përfundimi mbi gjuhën shqipe pa njohur shpirtin dhe historinë e popullit që e fliste këtë gjuhë. Kjo metodë e bëri të mbërrinte në përfundimin që: sikurse eposi mesjetar arbënor (i cili kish ndjekë rrugëtimin e tij në thuajse të njëjtat shtigje që pat ndjekë edhe eposi mesjetar frëng a gjerman) ashtu edhe protoshqipja nuk u pat zhvilluar jashtë kontekstit europian bashkëkohës. Vragat e latinitetit të hershëm në trup të saj, nuk duhet të ishin një motiv inferioriteti. Në fund të fundit ato vragë kishin ngulitur lashtësinë e një përplasjeje kulturore me përmasa biblike, dhe e dëshmonin vjetërsinë e gjindjes arbënore në Ballkanin Perëndimor, më qartë se çka mundur ta dëshmojë e gjithë arkeologjia në shek XX. Me përjashtim të protoshqipes, të gjitha idiomat ilire e iliro-trake u romanizuan krejtësisht për t'u shqymbë më pas nën valën shkiavone.
Siç dëshmohet edhe nga letërkëmbimi me Mjedjen, Meyeri ngulmon t'i përcjellë mesazhe kontekstuale gjuhëtarit shkodran. Në këtë dritë, qoftë puna e Meyerit, qoftë mendësia e tij, janë të njinjishme me gjithë atë proces rivlerësues që nisi t'i bëjë traditës krejt Plejada jonë diturore, laike dhe fetare, në agun e Pavarësisë. Për më tepër, kjo Plejadë rivlerësoi jo thjesht landorësinë e kësaj tradite, por çka është më e rëndësishmja ajo modernizoi edhe filozofinë e rolit të saj në kulturën kombëtare, duke e konsideruar sine qua non punën me traditën si më t'parin hap për t'u ndërmarrë në procesin e gjatë që lidhet me gjuhën dhe kulturën. At Shtjefën Gjeçovi, që nuk u botua thuajse kurrë në Shqipërinë e pasluftës, shkoi ende më tej: në simbiozat iliro-romake ai pa jo vetëm një civilizim të lartë iliro-trak, por edhe një ndikim të drejtpërdrejtë të latinëve nga bota iliro-trake me sfond pelazg. Jo më kot edhe studimet fillestare të Meyerit janë të kësaj natyre, edhe botimet nistore të Visareve të Kombit janë publikime të vjeljeve nga tradita, por edhe punimet e para të Eqrem Çabejt janë me natyrë ekskluzivisht etnolinguistike e folkloristike.
Meyeri nga sa duket renditet ndër ata që e themeluan tek ne këtë filozofi pune, e cila ishte paralele me kahjet kulturore të romantikëve të gjysëmshekullit XIX në Europën rrotull nesh, si në Gjermani apo Itali, mu aty në rizgjim të çështjeve kombëtare e të ndërgjegjes atdhetare. Meyeri e kish mëse të qartë se në rizgjimin e kësaj ndërgjegjeje roli parësor dhe më i fuqishëm mbetej ai i shkollës, ndaj përkundër veprimit aktiv fanariot e grekofil, ai i shkruan mëse një herë letra proteste Perandorit Osman t'asokohe duke i kërkuar dekretimin e çeljes së shkollave shqipe për shqiptarët. Meyeri priti me bindjen se shkollat shqipe kanë me u hapë, porse pritja e tij nuk do ishte aspak pasive. Më 1888 ai hartoi një Kurzgefasst albanesische Gramatik për Shqipërinë që po rizgjohej. Kjo gramatikë nuk ishte aspak e tipit erudit, por mirëfilli didaktik, pasi qe e thjeshtëzuar dhe e mbështetur prej copash leximi – folklorike e të kultivuara. Në këtë pikë ai veproi njëlloj si miku i tij De Rada, i cili në vlagën për t'i dhënë Shqipërisë një gjuhë të normuar u vu e hartoi një gramatikë të posaçme për shkolla. E që të dy këta punëtorë të mendjes e të shpirtit qenë bash në hullinë e F. Da Lecces, G. Junggut, A. Xanonit, P. Babit, P. Doçit, "Veprave Pijore", e mandej të krejt punëtorëve të Komisisë Letrare.
Kështu, vlera e Gustav Meyerit qëndron bash në të kundërtën e asaj çka është thënë rëndom për të. Ai, pra, nuk punoi aspak i izoluar e në mënyrë sektoriale, siç është kërkuar të paraqitet nga versanti dërrmues e i ideologjizuar i gjuhësisë shqipe, por qe në kontakt të vijuar me të gjithë mendimin botëror shkencor dhe me forcat përparimtare dhe idealiste që punuan për rizgjimin e shqiptarëve në letarg. Kësisoj, merret vesh se Shqipëria doli në dritë të Pavarësisë e nisi Ringritjen e saj të shpirtit e të arsyes falë shtysës së shumë më tepër krahëve nga sa është deklaruar për mëse gjashtë dekada; krahët e Meyerit qenë ndër ato që s'u deklaruan.
Në fushë të gramatikës, veçanisht të fjalëformimit, janë hullì të reja ato për nga Meyeri tërhoqi vëmendjen me studimet e tij. Nuk është rastësor interesi i tij i theksuar për prapashtesat, saku mbeti i vakët ai për parashtesat. Gjuhësia dëfton se dukuri morfo-fonetike si epitezat, prapashtesat dhe mbaresat e eptimit (flekcionit) kanë shkuar historikisht ngjitas e shpesh janë ndërkëmbyer me sho-shoqen, sidomos dy të fundit. Sondimi pikërisht ndër prapashtesa është një dëftues edhe i shkallës së ruajtjes së një gjuhe në kushtet e ndeshjes së saj me një tjetër gjuhë e kulturë. Protoshqipes i zgjati për afro gjashtë shekuj ky proces i përplasjes me latinishten e sikundër përkufizon Tagliavini, tri shekujt e para, latinishtja qe adstrat (ndajshtresë) për shqipen; mandej, me ngadhnjimin përfundimtar të qytetërimit Romak, ajo erdh e u bë substrat (nënshtresë). E po ashtu Tagliavini shkruan në lidhje me proceset e ndikimit se "sido qoftë puna, s'duhet harruem se asht gjithmonë e vërtetë se shka cakton karakterin e nji gjuhe nuk asht fjalori, por struktura gramatikore e saj". Duke risjellë në kujtesë vërejtjen e mësipërme mbi bashkëjetesën historike të prapashtesave me mbaresat e eptimit si dhe ndërkëmbimin tyre të herahershëm, kumti i kësaj përzgjedhjeje të Meyerit bëhet mëse i kuptueshëm. Natyrisht që Gazulli e mandej Çabej e Xhuvani arsyetuan më imtisht e më gjatë mbi repertorin e prapashtesave të shqipes e kështu mundën të korrigjojnë edhe disa përfundime zanafillore të Meyerit, por pikërisht pse zanafillore, ato kanë meritën e tharmit të një shtegu studimor sistemik e modern për ne.
Ky grecist nga më të shquarit, e njëherit hartues i më t'mirës gramatikë të greqishtes asokohe, u ndal gjatë të vëzhgonte përkimet dhe marrëdhëniet e Shqipes, duke na shpaluar një Shqipe larg melodive me buzuq. Në këtë mënyrë, duke evidentuar më fort ndikimet e ndjeshme prej latinishtes, si pasojë e bashkëjetesës së gjatë me latinitetin, saku ndikimet nga greqishtja e vjetër i gjen të pranishme, por të papërfillshme (helenët nuk e pushtuan kurrë Ilirinë Jugore), Meyeri jep dorë në tezën e autoktonisë së shqiptarëve. Por ndërkaq ai bëhet i sikletshëm për shkencën e re shqiptare. Versanti i latinitetit në veprën e Meyerit nuk u gjykua me aparat kritik në Shqipërinë e pasdyzetekatrës, por u përkthye veç si prirje për oksidentalizëm, e që, për arsyet e mosarsyes, shpinte në një tolerancë ndaj gegnicizmit e katolicizmit njëherësh. Ky fakt, si dhe rrethi i personaliteteve të këtushme "me cen" me të cilët pat bashkëpunuar Meyeri, mjaftuan nga sa duket për ta "dënuar" dhe shpërnjohur atë (Buletin për Shkencat Shoqërore, I-1952). E të mos qe për referimin e vijueshëm të Çabejt kundrejt opusit të tij etimologjik, ndofta jo vetëm fjalori dhe vepra e albanologut (që nuk u përkthyen kurrë) por edhe emri i tij mund të alienohej ndër citime sikundër ngjau me të tjerë martirë albanologë që u tëhuajzuan nga do sigla si "F.r", "Shkodër 1941" etj.
Kontributi i Meyerit në evidentimin e natyrës perëndimore të kulturës shqiptare i dha asaj një gjurmë aq të madhe, sa tekembrama i bëri ballë edhe prirjeve orientalizuese, që pa të keq, u patën ndërmarrë nga një pjesë e ndritur e elitës toske, por që mandej u keqpërdorën politikisht nga gjuhësia jonë e pasluftës. Ideatorët e albanologjisë sui generis, duke u mbështetë në disa pasaktësi të Meyerit, u rrekën ta rrëzonin krejt korpusin e tij, gjithë në orvatjen për të fshirë nga kultura jonë gjurmët e bashkëjetesës së gjatë e të plleshme iliro-romake. Natyrisht ky "oksidentalizëm" që nxjerr në pah Meyeri nuk mund të ishte bërë pa marrdhëniet që ai pat me luminarët e Ringritjes sonë; luminarë që në Shqipëri, n'atë kapërcyell epokash, patën gëluar gjithnjë me bollëk (De Rada, Kristoforidhi, Mjedja, Gazulli, Xhuvani etj.).
Para 115 vjetësh Ndre Mjedja i kushtoi Gustav Meyerit, që në të gjallë të tij, më t'bukurën poezi kombëtare për "Gjuhën shqype", madje dhe njërën ndër më të bukurat e korpusit mjedjan, tek e cila gjendet i vjershëruar pikërisht ky thelb i kontributit largpamës të Meyerit:
T'difton motrat, t'difton fisin
Nëpër shekuj fluturim
T'çon njatje ku luftnat krisin
Ku a kap Roma e Iliri shqim
Meyeri ndrroi jetë veç 50-vjeç nga një sëmundje e rëndë, më 28 gusht 1900. Vdiq bashkë me shekullin XIX, por shqiptarët e gjysmës'parë të shek. XX, vijuan për dekada me u mbështetë në veprën e tij e me pasë jo veç produkte të mendjes, por edhe ato pengje të domosdoshme nderimi sikundër dalin në poezi të E. Koliqit apo në punim të M. Logorecit.
Shqipëria e shekullit XXI duket se po i rikthehet luminarëve të vet, jo për t'i dekoruar, por për të përshfaqë monumentet e tyre pa rubë; ashtu dritëplote. Botimi për herë të parë në shqip i këtij guri themeli të albanistikës, i Fjalorit etimologjik të gjuhës Shqipe botuar në Strasburg në1891-shin e largët, është një takim i vonuar me njeriun Gustav Meyer - siç thoshte At Zef Pllumi "nji nieri asht vepra e vet". Ky fjalor pra është Meyeri pa rubë, ajo figurë për të cilën M. Kruja na kujtoi këtu e pesëdhjetë vjet të shkuara se "meriton prej nesh ma shumë mirënjohje se ankime".
Diçiturë: "Koni vizual", grafikë nga B. Taylor, Parimet e reja të perspektivës linear (1715).
Njëqindedhjetë vjet nga sot, me dorë të Meyerit u botua për herë të parë (!) një fragment nga Eposi i Kreshnikëve.
Shqipëria doli në dritë të Pavarësisë falë shtysës së shumë më tepër krahëve. Krahët e Meyerit qenë ndër ato që s'u deklaruan.