E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meningjiti, zgjerohet harta e infektimit

 
Shënohet rasti i 5-të me meningjit, i një vajze 12-vjeçare nga Tropoja. Rastet e tjera nga Puka, Pogradeci dhe Delvina
Numri i rasteve të personave të prekur me meningjit brenda muajit janar shkon në 5. Rastet janë nga zona të ndryshme të vendit, madje ato janë shënuar nga Jugu në Veri. Kështu, rasti i fundit i raportuar me meningjit është një vajzë 12-vjeçare nga Tropoja, e cila dje është shtuar në Spitalin Infektiv pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Sipas nëndrejtorit të këtij spitali, Arben Pilaca, vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe se po merr shërbim të specializuar. Sipas tij, me rastin e adoleshentes nga Tropoja kemi të bëjmë me rast të "Meningjitit akut" dhe se është një formë më e lehtë se meningjitit. Gjithashtu ai thekson se situata nuk është alarmante, ndaj nuk ka arsye që të përhapet panik.
Rastet
Nga Jugu, në Veri. Të paktën kështu paraqitet deri tani harta e rasteve të raportuar me meningjit. Dy rastet e fundit kanë të bëjnë me dy vajza nga Veriu, të cilat tashmë ndodhen nën kujdesin e mjekëve të Tiranës. Njëra prej tyre është në reanimacionin e Spitalit Ushtarak, ndërsa tjetra në Spitalin Infektiv të QSUT-së. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik në Tropojë, Ramiz Kërnaja, 6-vjeçarja Ariola Kërtoci u paraqit në spitalin e Tropojës ku u paraqit me meningo-koksemi dhe u përcoll në spitalin e Tiranës për shërim më të specializuar. Ndërkaq edhe një vajzë 17-vjeçare nga Puka, Ariana Dunga shkoi në spitalin e Pukës ku mjekët konstatuan "gastro-enterik-akut" gjendje që sipas tyre të çon drejt sëmundjes së meningjitit. Ndërkohë, disa ditë më parë, precedentët e meningjitit kanë të bëjnë me dy motra nga Pogradeci dhe një vajzë 3-vjeçare nga Delvina, që u zbuluan ditët e para të janarit me sëmundjen e rëndë. Kështu, rasti i parë për këtë vit me sëmundjen e meningjitit është zbuluar në spitalin e Korçës, më datë 3 janar. Dy motra nga rrethi i Pogradecit, babai dhe një i afërm i tyre, kanë përfunduar në karantinë, pasi mjekët konfirmuan se ishin prekur nga meningjiti. Trëndafile Krasta, 25-vjeçe dhe motra e saj, Esmaja, 22-vjeçe, janë mbajtur gjatë këtyre ditëve nën vëzhgim të rreptë e bashkë me to gjithë spitali. Fillimisht ka qenë vetëm njëra nga motrat Krasta, e cila ka shkuar si paciente me rekomandimin e mjekëve të Pogradecit. Ndërkohë tre ditë më pas në spitalin e Gjirokastrës u zbulua një tjetër rast meningjiti. Bëhet fjalë për një vajzë 3-vjeçare, e cila mësohet se është prekur nga shkalla më e rëndë e kësaj sëmundjeje ngjitëse. Trevjeçarja Eljana Alinani, banuese në qytetin e Delvinës, është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal "Omer Nishani" në Gjirokastër. Sipas mjekëve të Sarandës, të cilët kanë ekzaminuar rastin në fjalë, vajza kishte temperaturë, të vjella si dhe shfaqje të sëmundjes në lëkurë. Mjekët pohuan se 3-vjeçarja ishte prekur nga meningo-koksemia, faza më e rëndë e sëmundjes së meningjitit. Më pas, vajza e vogël është transportuar për në kryeqytet ku ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën, por sërish është nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve.
Sëmundja dhe shenjat
Çfarë është meningjiti
Meningjiti paraqet inflamacion të cipave të trurit, që e mbulojnë trurin dhe palcën kurrizore. Mund të jetë i shkaktuar nga viruset ose nga bakteret. Meningjiti viral zakonisht është më i lehtë, ndërsa meningjiti bakterial paraqet infeksion serioz, që mund të mbarojë me vdekje, nëse nuk jepet shpejtë terapi antibiotike. Sipas mjekëve, sëmundja mund të paraqitet me temperaturë e lartë, dhembje të forta koke, shtangim të qafës, përgjumësi e shprehur ose shqetësim, refuzim i ushqimit, pamundësi që t'u përgjigjet pyetjeve të parashtruara. Që të diagnostikohet meningjiti, mjeku duhet të bëjë punkcion lumbal: me gjilpërë hyn në shtyllën kurrizore dhe merr pakëz lëng. Lëngu ekzaminohet nën mikroskop, për prezencën e qelbit dhe baktereve dhe bëhet kulturë, që të shihet nëse ka ndonjë bakter dhe të përcaktohet lloji i bakterit. Trajtimi bëhet vetëm në kushte spitalore dhe përfshin dhënien e antibiotikëve dhe terapi tjetër mbështetëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›