E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia: 12 rrugë të kryeqytetit, të rregulluara në 2008

Programi, "Sistemim, asfaltime për vitin 2008" synon rregullimin 12 rrugëve. Rama: Investime të reja për rrugët
"Sistemim, asfaltime për vitin 2008". Ky është projekti i Bashkisë së Tiranës, i cili konsiston në përmirësimin e shtresave asfaltike në 12 rrugë kryesore dhe dytësore të kryeqytetit. Në këtë kuadër u realizua edhe asfaltimi i Rrugës "Sami Frashëri" ku mori pjesë në inaugurimin e saj kreu i Bashkisë së Tirnaës, Edi Rama. Sipas tij, ky është një projekt për rindërtimin e një sërë segmentesh në Tiranë, ku nuk ka probleme me kanalizimet, me Ujësjellësin dhe me KESH-in.
Projekti
Projekti "Sistemim, asfaltime për vitin 2008" ka vlerën rreth 93 000 000 lekëve dhe konsiston në përmirësimin e shtresave asfaltike në 12 rrugë kryesore dhe dytësore, ku shtresat ekzistuese asfaltike paraqiten të dëmtuara dhe me plasaritje, pasi rrugët përballojnë një pjesë të konsiderueshme të trafikut. Gjatë inspektimit të punimeve të realizuara në asfaltimin e Rrugës "Sami Frashëri", kryebashkiaku Edi Rama theksoi se kjo rrugë është pjesë e një projekti rikonstruksionesh të bëra në kryeqytet, në segmente të ndryshme, brenda blloqeve të mëdha të banimit. "Ajo që është e rëndësishme, është që për vitin që sapo ka filluar ne kemi në plan një numër të konsiderueshëm kantieresh të reja dhe investimesh, që nga ato strategjike deri tek ato që do të garantojnë një cilësi jete në komunitete të vogla, në blloqet e banimit",- thekson Rama duke shtuar se me planin e këtij viti do të bëjnë një hap të madh sasior, por edhe cilësor, në aspektin e përmirësimit të infrastrukturës së kryeqytetit, e cila tashmë është në fazën kur kërkon mjaft segmente lidhëse mes akseve kryesore. Sipas tij, ky plan kërkon të arrijë gjithashtu edhe hapjen e akseve të reja strategjike, siç është Unaza e Madhe apo edhe Unaza e Vogël e Qendrës, që unë kam shpresë se mund të jenë dy vepra të cilat mund të nisin që këtë vit. "Në rastin e Unazës së Madhe, kjo është thuajse e sigurt sepse edhe negocimi për financimin e saj po përfundon dhe është marrë aprovimi në parim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërkohë që kanë filluar edhe procedurat e shpronësimeve. Jemi në proces për të bërë të njëjtën gjë edhe për Unazën e Vogël",- pohon Rama. Ndërkohë ai theksoi se ky është një projekt për rindërtimin e një sërë segmentesh në Tiranë, ku nuk ka probleme me kanalizimet, me Ujësjellësin, me KESH-in dhe siç e shikoni, në një rast të tillë zgjodhëm këtë aks kryesor të këtij projekti. Sipas Ramës nuk ka probleme as me kohën, përkundrazi, është bërë në një kohë rekord dhe jam i bindur që edhe qëndrueshmëria e tij, pasi nuk bëhet fjalë thjesht për një shtresë, por bëhet fjalë për të gjithë procedurën, me të gjitha shtresat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›