E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, rrugorët 1560 gjoba për dy javë

 
Shefi i policisë rrugore, Blerim Laçi: Krahas gjobave, kemi hequr në këto dy javë edhe 20 leje drejtimi automjeti
ELBASAN- Policia e qarkullimit rrugor në rrethin e Elbasanit ka intensifikuar kontrollet në akset problematike, me qëllim parandalimin e aksidenteve. Vetëm dy javët e para të këtij viti, efektivat e këtij sektori kanë vendosur 1560 masa administrative (gjoba) kryesisht ndaj drejtuesve që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, që përdorin pije alkoolike, apo edhe për mungesë dokumentacioni. Shefi i policisë rrugore në komisariatin e Elbasanit, Blerim Laçi, deklaroi dje se krahas numrit të lartë të gjobave, policia rrugore ka hequr në këto dy javë 20 leje drejtimi për shkelje të ndryshme si dhe për mungesë dokumentacioni. Sipas tij, kontrollet në rrugë janë intensifikuar nisur nga numri i lartë i aksidenteve të ndodhura këtë fillim viti, në rang vendi. Kësisoj efektivat e këtij sektori kanë përforcuar shërbimet në vende të ashtuquajtura njolla te zeza rrugore. "Vetëm javën e fundit kemi pezulluar 15 leje drejtimi, pasi drejtuesit e mjeteve janë diktuar duke qarkulluar me shpejtësi tej normave dhe pesë leje drejtimi për drejtuesit që kanë konsumuar pije alkoolike",- vijoi shefi i policisë rrugore në Elbasan. Në këtë kuadër ai u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të qarkullojnë me shpejtësi brenda normave të lejuara dhe të shmangin përdorimin e pijeve alkoolike. Duke iu referuar ligjit të ri të Kodit Rrugor, ku ndër të tjera thuhet se të gjitha mjetet duhettë lëvizin me drita të shkurtra, Laçi nënvizon se "kjo pikë nuk zbatohet nga drejtuesit e mjeteve". Sipas tij, kontrollet e policisë rrugore janë përqendruar edhe në këtë drejtim. "Fillimisht drejtuesit e mjeteve po këshillohen që të zbatojnë këtë pikë të ligjit dhe më pas do të veprohet me gjoba, nëse kjo nuk respektohet", tha ai. Lidhur me aksidentet e ndodhura në këto ditë të para të vitit 2008 në rrethin e Elbasanit, shefi i policisë rrugore nënvizon se "është regjistruar vetëm një aksident me pasojë vdekjen". Për të shmangur në maksimum aksidentet, bazuar dhe në urdhrin e Kryeministrit Sali Berisha, Laçi theksoi se "sektori i policisë rrugore do të vazhdojë kontrollet dhe do të ndëshkojë të gjithë shkelësit e Kodit Rrugor".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›