E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrat e shtetit

Ajo që na mundon më së tepërmi ne shqiptarëve janë marrëdhëniet mes burrave të shtetit. Rëndom, me "burra shteti" na shkon mendja te Presidenti, Kryeministri, ministrat, deputetët dhe njerëz të tjerë të këtij rangu. Në një koncept tjetër, "burrë shteti" është pastruesja, e cila fshin rrugët e qytetit çdo natë, infermierja, e cila shërben me dëshirë e korrektësi, shoferi i urbanit, i cili mban veshur xhaketë e kravatë, polici i aeroportit, me të cilin ke dëshirë të komunikosh, roja i thjeshtë, i cili të thotë me krenari e personalitet "ndal", specialisti që nxjerr sytë me orë të tëra para kompjuterit dhe di të thotë me kompetencë "po" ose "jo".

Për ironi të fatit të shqiptarëve, shumë vlera dhe virtyte të shumësisë janë zbehur e po vazhdojnë të zbehen dhe shumë antivlera e vese të parisë po i faturohen Shqipërisë e shqiptarëve.

Në Muzeun Kombëtar në Riga, Letoni, ndodhet një murale, ku ndritshëm, me ngjyrat më të forta del në pah Cari i Rusisë, i cili me një shkop në dorë drejton botën dhe rreth tij janë gjithë kombet e tjera të personifikuar si kafshë, dikush si dem, kalë, gjel, gjarpër etj. Eshtë rrëqethëse të shohësh në atë murale pjesën e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë. Aty ndodhet një lepur i egër, me këmbët e prapme diku nga Kosova dhe kokën poshtë nga Vlora, i cili turret rrokapjekthi të fshihet nëpër ferra duke shkumëzuar. Së paku kështu na ka perceptuar një pjesë e rëndësishme e botës.

Vallë të tillë të jemi ne? Në përgjigje të kësaj pyetjeje do të vendos shprehjen e Nolit, (vënë te goja e Bet‘hovenit) se "S‘ka më të vegjël se njerëzit tanë të mëdhenj", ose atë shprehjen e famshme "armiqësore" të Konicës.

E kanë fajin 20 vjet tranzicion, 50 vjet komunizëm, 500 vjet osmanllëk, apo moskuptimi si duhet i lirisë dhe të vërtetës?

Breza të tërë shqiptarësh me fjalën liri kanë kuptuar çlirimin nga pushtuesi i huaj. Kjo edukatë, shpesh përparimtare, dhe në kohën e socializmit edukatë e kultivuar nga pushteti, ka bërë që sot shqiptarët të jenë të privuar nga liria e vërtetë. Sado trima dhe shpërthyes që të dukemi, ne jemi me vite dritë larg thënies së Uitmanit plak, "kundërshto shumë e bindu pak".

Mungesa e lirisë na bën të mos jemi të vërtetë dhe më e keqja është se vazhdojmë të edukohemi me të pavërtetën, e cila është kthyer në modë, në mjet suksesi dhe në mënyrë jetese.

A jetohet një jetë e tërë me konceptin ia hodha edhe kësaj radhe, përfitova edhe sot, e kalova edhe këtë lumë pa u lagur, shpëtova për bukuri edhe kësaj here, të kapem fort pas iksit për t‘ia dalë edhe një herë mbanë, të marr ç‘mund të marr për momentin, se më pas s‘i dihet?

Shembulli domethënës i këtij koncepti është procesi zgjedhor, nga fillimi e deri në fund, megjithëse nuk i ka ardhur ende fundi, përjashtuar këtu qytetarinë e shumësisë në ditën e votimit.

Dhe, megjithëse populli i shkretë bëri më të mirën e mundshme ditën e votimit, përsëri pasojat po bien mbi shpatullat e tij.

Nuk arrihet procesi i pajisjes me karta identiteti dhe faji është i shqiptarëve, të cilët nuk begenisin të shkojnë të dalin në fotografi dhe të paguajnë pakëz lekë, qoftë edhe duke u rimbursuar vende-vende.

Vërehen probleme të Kodit Elektoral, të procesit të numërimit të votave dhe për këto namin e deles së zezë dhe pasojat i marrin të gjithë shqiptarët.

Me paratë e shqiptarëve bëhet rruga për në Kosovë dhe meritat i merr qeveria, duke organizuar dhe shfrytëzuar për qëllime të ngushta, takime e skenarë folklorikë, në mes të tunelit, të burrave të mëdhenj patriotë, të Isës me Smajlin.

Sa e sa shembuj të tjerë ka të katrahurës së nakatosjes së shapit me sheqerin.

Po ku është raca e Ezopit? Ku janë ata burra të cilët mbrojnë të vërtetën dhe lirinë e tyre, të cilët dinë të thonë me kompetencë "po" ose "jo". Ku janë ata burra të cilët respektojnë veten, profesionin, pagën dhe e kanë për detyrë, për përgjegjësi profesionale, por edhe për kënaqësi burrërore të thonë "po, zoti shef, kjo punë mund të bëhet", ose "jo, kjo punë s‘mund të bëhet"?

"Jo, kjo punë s‘mund të bëhet". Sa kënaqësi mund t‘i japë kjo shprehje një nëpunësi të aftë shteti! Sa pasoja negative mund të eliminojë kjo shprehje!

Shtetin nuk e mbajnë ksanthat, nuk e mbajnë ministrat, nuk e mbajnë ata që u duhet të vënë me dhjetëra firma pas çdo dite të gjatë pune të mbushur me buzëqeshje të shtirura, shtrëngime duarsh pa kuptim, pritje, kokteje, takime, konferenca, spektakle, dalje para kamerave, udhëtime jashtë shtetit shpesh edhe pa asnjë motiv apo kuptim serioz, e të tilla shou si këto.

Shtetit, jo vetëm nuk i bëjnë shërbim, por e brejnë si krimbat ata më të dëmshmit, ata të cilët ksanthat mbajnë rrotull, militantët dallkaukë e "besnikë", kodoshët e aferave, bodiguardët nurzësë, të cilët as Zoti vetë nuk e di se përse janë justifikuar ligjërisht se mund të vlejnë.

Mbase logjikisht për ditën me diell nuk vlejnë, por ata ndihmojnë bosin, gruan, burrin apo fëmijët e tij, të plotësojnë dëshirat e tyre, mbase deri në perversitet. Ata kanë pushtetin e informacionit dhe dinë çdo gjë rreth bosit të tyre.

Kjo është të jepesh peng. Kjo është të biesh në grackën e "trimoshëve", të cilët kthehen kështu në heronj të heshtur e modernë të atyre që shtiren se personifikojnë dhe mbajnë shtetin.

Sot, për të fuqishmit tanë, pengmarrja është kthyer në armë më të fuqishme edhe se vetë paraja. Tirana ka shumë media dhe gazeta dhe shumë herë më tepër lokale. Në gazeta nuk thuhen të gjitha, por nëpër lokale thuhet dhe dihet gjithçka, çdo ves, pikë e dobët, shkelje në dërrasë të kalbur, gëlltitje çorbe të prishur etj., të cilat edhe nëse nuk janë të besueshme për momentin, do të bëhen të besueshme kur kuptohet mënyra si shfrytëzohen.

Në këtë zallamahi më tepër, heshtin ata të cilët e mbajnë dhe duhet ta mbajnë shtetin, ata të cilët kanë përgjegjësinë, burrërinë dhe paguhen të thonë me argumente "po" ose "jo".

Kjo racë është shumë e pakët në Shqipëri, jo sepse është ujk Cesari, por sepse më së shumti janë ende dele shqiptarët e institucionalizuar.

Me sa duket janë shumë të pakët ata të cilëve u është ofruar tundimi dhe joshja e korrupsionit dhe nuk janë vënë përfund tij. Kohët e fundit, rreth politikës dhe opinionit të saj u afruan disa të rinj, shpesh kurajozë dhe të guximshëm. Ana më shpresëdhënësë te ta ishte se ishin të pakorruptuar, (për momentin) dhe vlera më e madhe e tyre ishte në se do të arrinin të ruanin kodin e të pakorruptueshmit. Por, siç duken bathët, edhe ata nuk mundën t‘i rezistonin mollës shqiptare të Adamit.

Ende nuk ka përfunduar procesi zgjedhor dhe për administratën shtetërore është një lloj relaksi, sepse politika është përqendruar diku tjetër. Këto ditë për nëpunësit e thjeshtë janë ditë të qeta, përjashtuar ndonjë rrufe në qiell të kthjellët për dikë që "e ka tepruar", apo ndonjë "ndryshim strukture i domosdoshëm", sa për të kryer nderet dhe porositë në ditët e fundit me pushtet.

Më pas, për administratën vijnë ditët e ankthit se kush do të jetë i pari i institucionit. Një pjesë e administratës normalisht do të nxjerrë dhe shpalosë flamurin e përshtatshëm, do të përpiqet të gjejë lidhjet dhe afrimitetet me politikanët e rinj dhe sejmenët e tyre. Pjesa tjetër do të vazhdojë të shkojë në punë me ankth, duke pritur ç‘mund të ndodhë.

Pastaj, nëpër korridoret e institucioneve, do të fillojnë të duken dita me ditë, fytyra të reja. Në fytyrat e tyre do të dallohet ngadhënjimi i fitores dhe cinizmi ndaj atyre të cilët kanë punuar më parë. Ata do të tregohen se janë të pastër, të papërlyer, se kanë të gjithë informacionin për paaftësitë, gabimet, korrupsionin, shkeljet, vjedhjet që ka bërë administrata e parë. Pastaj do të kërkohen dorëheqjet, presionet nga më të ndryshmet se "unë dhe stafi im s‘mund të punojmë me njerëz si ty", ndryshimet strukturore, e kështu me radhë.

Në procesin e ndryshimeve në administratë më të rrezikshmit nuk janë ministrat, apo krerët e institucioneve, por ata krimbat e vegjël, shoferët, bodiguardët, këshilltarët, militantët besnikë, të cilët i dinë dhe zorrët e barkut bosit, të cilët kanë njëmijë e një halle, të cilët kërkojnë pa turp e pa fre, të cilët të mbytur nga mllefi, dëshira për protagonizëm dhe lloj-lloj ndjenjash të çastit, mund të marrin në qafë këdo, kur të duan.

Do të bëhej mirë sikur Kryeministri i qeverisë së re të nxirrte një udhëzim, në të cilin të përcaktohej se bodiguardët dhe shoferët e ministrave dhe të titullarëve të institucioneve kryesore të mos përzgjidheshin nga bosat e tyre, por në mënyrë të pavarur nga institucionet përkatëse ku ata janë të punësuar. Kjo jo vetëm do të qetësonte klimën në institucioneve, por do të lehtësonte edhe vetë ministrat, apo titullarët e rinj nga detyrimet për këta lloj njerëzish.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›