E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, anulohet vendimi për "shkuljen" e Skënderbeut

Debateve në Këshillin Bashkiak të Burrelit, nisur gjatë muajit nëntor të këtij viti, për heqjen e bustit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, nga sheshi para bashkisë, për ta zëvendësuar me atë të ish-mbretit Zog, tashmë kanë marrë fund. Për sa u përket këtyre debateve, reagoi edhe kryetari i Bashkisë së Burrelit, Skënder Lleshi, i cili ra dakord me heqjen e bustit, me pretendimin për gjetjen e mënyrave për të ndërtuar një bust më të madh për Burrelin. Por më i ashpër ka qenë reagimi i veteranëve të rrethit të Matit, në lidhje me tentativën e këshillit bashkiak, për heqjen e bustit të Skënderbeut. Përveç peticionit të nisur për këtë problem në instancat më të larta të shtetit, ata sollën edhe argumente, që heqja e bustit, pavarësisht rrethanave të vendosjes së tij aty, nuk mund të jetë kompetencë e këshillit bashkiak, por e Këshillit të Ministrave. Më në fund duket se vendimtare për mbylljen e këtyre debateve, për heqjen e bustit, ka qenë një ndërhyrje e skulptorit Maksim Shurdhi, i cili po përgatit shtatoren e ish-mbretit Ahmet Zogu, që i ka propozuar këshillit bashkiak që kjo shtatore të vendoset në sheshin "Demokracia", duke marrë parasysh anën kompozicionale të saj. Propozimi i skulptorit Shurdhi është hedhur në votë nga kryetari i këshillit bashkiak, Besnik Murati. Pro këtij propozimi votuan 12 këshilltarë, dy votuan kundër, ndërsa vetë kryetari i këshillit bashkiak, që përfaqëson Partinë Lidhja e Legalitetit, abstenoi. Ky vendim, që u jep fund debateve për lëvizjen e bustit të Skënderbeut, mësohet se është konfirmuar si i ligjshëm këto ditë edhe nga Prefektura e Dibrës. Ndërkohë që media po pasqyron një fushatë "pro" dhe "kundër" Skënderbeut, në qendër të Tiranës, në studion e skulptorit Sadik Spahia, po punohet një tjetër shtatore për Skënderbeun. Kjo shtatore është sponsorizuar nga biznesmeni dibran, Zaim Krosi, për t‘u vendosur në qytetin verilindor të Peshkopisë. Përmasat e saj do të jenë 4.8 metra e lartë, 3.3 metra e gjerë dhe me bazament rreth 1.5 metra, një nga më të mëdhatë të vendosura në vendin tonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›