Burrel, digjen 6 shtëpi në mes të qytetit
Forcat e policisë realizuan evakuimin e 100 fëmijëve të një kopshti që ndodhej pranë vatrës së zjarrit
BURREL - Një zjarr i fuqishëm i rënë krejt papritur në orët e paradites së djeshme ka përpirë 6 shtëpi banimi në lagjen “Partizani” të qytetit të Burrelit duke lënë dhjetëra të pastrehë dhe rrezikuar jetët e shumë personave që banonin aty, kryesisht fëmijë. Sipas banorëve, zjarri ka rënë rreth orës 10:00, dhe ka vazhduar për disa minuta duke përfshirë 6 shtëpi banimi në afërsi të vendit të quajtur “Tregu i Gabit”, ku shiten rroba të përdorura, ngjitur me “Kopshtin nr 3” të këtij qyteti. Megjithëse ende nuk është gjetur shkaku i rënies së zjarrit, banorët thonë se gjithçka ka qenë e qëllimshme dhe lidhet me motivet e pronësisë.
Ekzistenca e një kopshti pranë rënies së zjarrit ka shkaktuar panik tek fëmijët dhe edukatorët, duke qenë se në të ndodhen më shumë se 100 fëmijë. Ndaj, fillimisht policia ka realizuar evakuimin e të gjithë fëmijëve dhe personelit të kopshtit. Edhe pse është lajmëruar për rënien e zjarrit sapo është krijuar vatra e parë, bëhet e ditur se shërbimi emergjent i zjarrfikësve ka shkuar aty kur zjarri ishte përhapur gjithandej në të gjashtë shtëpitë e banimit, dhe thuajse “kishte kryer punë”. Kështu brenda një gjysmë ore gjithçka është shkrumbuar, me banesa, orendi dhe gjithçka që ato familje kishin në bujtinat e tyre. Kjo ka bërë që të mbesin 50 banorë të pastrehë, duke e “majisur” më tej listët e të pastrehëve të këtij qyteti.
Kjo ngjarje e rëndë po hetohet nga policia, por deri më tash nuk ka një pistë të saktë nga se është shkaktuar ai, gjithashtu ende nuk është e bërë e ditur shkalla e dëmit të shkaktuar nga zjarri i rënë. Por qytetarët, banorë të këtyre shtëpive, hedhin dyshime se zjarri i rënë ka qenë i vënë qëllimisht, dhe kjo, sipas tyre, mund të ketë të bëjë me truallin që aty diskutohet prej kohësh. Duke mos dashur të identifikohen për arsye frike, ata shprehen se jo pak herë i kanë kërcënuar nën pretekstin se aty do të ngrihej një pallat dhe se dikush ka qenë i interesuar për t’i shporrur përmes mjeteve të dhunshme, siç është zjarri i vënë. Kjo ka bërë që policia të hetojë dhe rreth kësaj piste, ndërkaq specialistët e bashkisë po “inventarizojnë” dëmet e shkaktuara, si dhe krijimin e mundësive të strehimit të këtyre banorëve në kushte të përkohshme.