E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, gjendet i vdekur 50-vjeçari, dyshohet vrasje

 

BURREL - Policia e Burrelit ka nisur hetimet për vdekjen në mënyrë ende misterioze të një 50-vjeçari. Dje në orët e paradites, Ramazan Gjyla, nga fshati Shëlli, është gjetur i vdekur nga banorët e fshatit të tij në oborr të shtëpisë. Mësohet se viktima kohët e fundit jetonte i vetëm pas divorcit me bashkëshorten. Banorët kanë sinjalizuar menjëherë policinë, e cila fillimisht e cilësoi ngjarjen si një vetëvrasje për shkak se të afërmit pohuan se viktima kohët e fundit kishte shfaqur shenja depresioni. Burime nga prokuroria hedhin dyshime për një vrasje të mundshme të Gjylës. Mësohet se viktima mbante në dorë një thikë dhe kishte dëmtime në trup, çka hedh dyshime për një vrasje të tij. Sipas ekspertëve të hetimit, ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë, pasi edhe trupi i viktimës kishte nisur të dekompozohej. Po nga burime policore mësohet se Gjyla vite më parë kishte emigruar në Greqi. Për shkak të problemeve që kishte shfaqur është ndarë nga bashkëshortja, ndërkohë që fëmijët e tij punonin e jetonin jashtë vendit. Prokuroria kërkoi të kryhej ekspertiza mjeko-ligjore e kufomës, pasi prania e thikës pranë tij, si dhe një plagë e rëndë në trup, hedhin dyshime se Gjyla mund të jetë ekzekutuar.                                                      h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›