Vrasja ish-agjentit të policisë në Elbasan, arrestohen edhe 2 të tjerë
Luan Kondi
Elbasan- Policia ka mundur të arrestojë dhe dy persona të tjerë të dyshuar si autorë në ekzekutimin e ish policit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit, Roland Rexhepit. Arrestimi i Marius Tafës dhe Shkëlzen Shkrepit u bë pasi akuzohen si bashkëpunëtorë në vrasjen e 42-vjeçarit Rexhepi. Arrestimi i të dyshuarit të tretë përkon me masën e sigurisë “burg pa afat” dhënë nga togat e zeza të Elbasanit për 2 të arrestuarit katër ditë më parë si të dyshuarit kryesorë për vrasjen e ish-agjentit të Antidrogës. Policia mendon se vrasja e Rexhepit ishte me paramendim dhe e mirëorganizuar.
Masa e sigurisë
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka lënë me “arrest në burg” Armand Llakajn, 33 vjeç dhe Arben Jaçe, 28 vjeç, të cilët u arrestuan katër ditë më parë si të dyshuarit kryesorë për ekzekutimin e ish policit të drejtorisë së qarkut të Elbasanit.
Sipas policisë, dy të arrestuarit e sipërpërmendur dyshohet se mëngjesin e 22 korrikut ekzekutuan me armë zjarri tip kallashnikov në pragun e shtëpisë ish-agjentin e antidrogës, Roland Rexhepi, 42 vjeç, banues në lagjen Vullnetari. Gjatë zhvillimit të seancës së djeshme, prokurori Elvin Gokaj, mbështetur në provat e shumta shkencore të mbledhura gjatë hetimit që është kryer për zbardhjen e këtij krimi, kërkoi masën “arrest me burg” për Llakajn dhe Jaçen. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga mbrojtja e të pandehurit Arben Jaçe, e cila ka hedhur alibinë se klienti i tij në momentin e krimit ka qenë në kryeqytet. Ndërsa për të pandehurin tjetër Llakaj mbrojtja u tërhoq para seancës gjyqësore dhe ai u zëvendësua me një tjetër nga Gjykata e Elbasanit. Në përfundim të procesit të caktimit të masës së sigurisë u hodhën poshtë pretendimet e avokatëve mbrojtës dhe trupi gjykues i kryesuar nga Pajtime Fetahu la në fuqi kërkesën e prokurorisë, arrest me burg për dy të pandehurit.
Ngjarja
Atentati që i mori jetën 42-vjeçarit Roland Rexhepi ndodhi shtatë ditë më parë kur ai mbeti i vrarë teksa u qëllua nga persona të armatosur në një atentat pranë shtëpisë së tij. Ish-agjenti i Antidrogës Roland Rexhepi, i njohur me nofkën “Doda” u qëllua për vdekje me armë zjarri sapo kishte dalë nga banesa me makinë. Autorët, persona të maskuar të hipur në një motor, kanë qëlluar në drejtim të tij me armë automatike. Në momentin e vrasjes rruga ka qenë me kalimtarë të shumtë. Autorët janë larguar menjëherë me motor, ndërsa 42-vjeçari është transportuar për në spitalin e qytetit. Policia tha se viktima, ish- agjent i antidrogës nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka vdekur pak minuta pasi kishte mbërritur në spital. Pista e hetimit në të cilën është përqendruar policia e qarkut të Elbasanit është ajo e një hakmarrjeje për shkak të detyrës që ai kishte kryer, ndërsa mësohet se 42-vjeçari pritej të rikthehej sërish në radhët e policisë.
29 Korrik 2009