Malaj: Misioni i PS, në Kuvend
Deputeti Arben Malaj, një nga përkrahësit e tezës se PS-ja nuk duhet të bojkotojë Kuvendin, tha se kjo forcë politike nuk duhet të debatojë më mbi rezultatin e zgjedhjeve, por të gjejë mënyrën për të rikthyer mbështetjen publike. Ai theksoi se në Parlament Partia Socialiste do të jetë një opozitë e fortë dhe ky është institucioni, ku kjo forca më e madhe e pakicës do të realizojë misionin e saj. “PS nuk mund të humbasë më kohë me debate për rezultatin zgjedhor. Ajo duhet të përgatitet me një analizë të gjatë me një strategji dhe vizion të qartë si do të rikthejë kredibilitetin politik dhe mbështetjen publike në sfidat, që ka përpara dhe njëkohësisht, si ne në institucionet tona parlamentare do të mund të jemi një opozitë e fortë dhe efikase për sfidat që ka vendi. PS misionin e saj që ka si opozitë do ta realizojë brenda institucionit të Parlamentit”, u shpreh dje Malaj. I pyetur nëse është ndërprerë mandati i kryetarit Edi Rama pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, ish-ministri socialist vlerësoi propozimin e kreut të PS-së për të thirrur kongresin e jashtëzakonshëm. Sipas tij pas thirrjes së kongresit, i cili do t’i hapë rrugë zgjedhjeve për kryetarin e partisë, çdo diskutim lidhur me këtë çështje është jo pozitive. “Kryetari në bazë të statutit në mënyrë korrekte ka thirrur asamblenë, ka kërkuar që asambleja të marrë vendim për thirrjen e kongresit të jashtëzakonshëm me dy çështje kryesore njëra analiza dhe e dyta është fillimi i procedurave në PS pas mbetjes së vendit vakant të kryetarit të partisë. Duke qenë se vetë kryetari i partisë e ka propozuar në rendin e ditës këtë element statusor dhe respektimin e tij besoj se çdo diskutim individual do të jetë një energji e harxhuar në mënyrë jo pozitive”, theksoi deputeti i PS-së. Në fund ai bëri thirrje që në zgjedhjet për kryetarin e partisë duhet të ketë një garë mes kolegësh për të bashkuar më shumë se sa për të ndarë. Por në të njëjtën kohë ai theksoi se nuk duhet përsëritur sërish modeli i një partie me institucione të dobëta dhe lider të fortë. “Duhet të kemi një garë, e cila në produktin e saj përfundimtar do të japë një lider, i cili më shumë se eksperienca e mëparshme ku PS eksperimentoi filozofinë e një lideri të fortë dhe institucioneve të dobëta, t’i rikthehemi një funksionimi modern të PS-së ku institucionet janë shumë të rëndësishme për të gjeneruar optimizëm dhe për të garantuar fitore. Është e rëndësishme që kjo garë të fillojë që në fillim me elementë të kredibilitetit personal të çdo konkurruesi në këtë garë”, u shpreh Malaj.