SHBA, arrestohet shqiptari i arrestuar për terrorizëm
Shqiptari nga Kosova, i cili është i vetmi shtetas jo amerikan që është arrestuar nën akuzën e përgatitjes për sulme terroriste është Hysen Sherifi. 24-vjeçari i lindur në Kosovë, jetonte me dokumente të rregullta në SHBA. Gjashtë të arrestuarit e tjerë ishin me banim në Karolinën e Veriut. Të dyshuarit akuzohen për komplot për t’u siguruar mbështetje materiale terroristëve, komplot për vrasje, rrëmbim, dhunim dhe plagosje të personave jashtë vendit. “Sipas akuzave, një nga burrat, Hysen Sherifi, thuhet se shkoi në Kosovë për t’u angazhuar në luftën fetare te dhunshme të Xhihadit, por është e paqartë nëse ai ka bërë ndonjë sulm”, - shkruante dje AP. Në aktakuzë e bërë e njohur për median thuhej se të akuzuarit kishin udhëtuar për në Izrael në qershor 2007 për t’u angazhuar në Xhihadin e dhunshëm, por përpjekjet e tyre kishin dështuar. Prokurorët thonë se udhëheqësi i tyre ishte Daniel Boid ndërsa të arrestuarit e tjerë si të dyshuar për sulme terroriste janë dy djemtë e tij, Zakarija Boid, 20 vjeç, Dilan Boid, 22 vjeç, Anes Subasiç, 33 vjeç, Mohammad Omar Aly Hassan, 22 vjeç dhe Zijad Yaghi, 21 vjeç. Të akuzuarit janë paraqitur, të hënën për herë të parë para një gjykate në Raleigh nën akuzën për sigurimin e mbështetjes materiale për terroristët. Autoritetet thonë gjithashtu se Boid dhe të dyshuarit e tjerë ishin stërvitur me armë sulmuese dhe ishin përpjekur të mblidhnin para për sulme terroriste. Prokurorët thonë se udhëheqësi i tyre, 39-vjeçari Daniel Boid, kishte qenë në Afganistan për stërvitje ushtarake në kampet terroriste, dhe kishte luftuar atje mes viteve 1989-1992, para se të kthehej në SHBA. Dokumentet në gjykatë akuzojnë Boid, që njihej dhe me emrin “Sejfullah” se ka inkurajuar të tjerët të angazhuar në luftë fetare. Nëse të arrestuarit deklarohen fajtor mund të dënohen me burg përjetë.
Durrës, makina del nga rruga, vdes 16-vjeçari plagosen rëndë moshatarët e tij
Aksidentet në qarkun e Durrësit duket se nuk njohin kufi. Pas regjistrimit të shtatë viktimave gjatë dy ditëve të fundit, një tjetër aksident me vdekje ka ndodhur në qarkun e Durrësit ditën e sotme. Kësaj here viktima ka qenë një 16-vjeçar, ndërsa sipas policisë janë plagosur edhe dy adoleshentë të tjerë.
Ngjarja rrugore ndodhi mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Durrës-Shijak, kur një automjet me targa të huaja, i cili drejtohej nga 16-vjeçari Fitim Bare ka dalë nga rruga. Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes u përpoq t’u jepte ndihmën e parë personave që ndodheshin në makinë. Sipas policisë drejtuesi i mjetit 16-vjeçari Fitim Bare dhe pasagjeri Aleks Sulejmani kishin shenja jetë dhe u transportuan menjëherë në spital. Ndërsa nuk ka pasur të njëjtin fat moshatari i tyre Bruno Serjani, i cili kishte marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit duke gjetur dhe vdekjen. Burime policore thanë se nga hetimet e para dyshohet se automjeti po udhëtonte me shpejtësi të madhe në momentin që ka dalë nga rruga. Një ditë më parë zyrtarët e policisë së Durrësit u bënë thirrje qytetarëve, duke marrë shkas nga aksidentet e rënda të ndodhura gjatë orëve të fundit në këtë qark, që të tregojnë kujdes.
29 Korrik 2009