E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet, policia 14 mijë gjoba ndaj shoferëve vetëm në 1 javë



Tiranë - Policia Rrugore e Tiranës, me qëllimin e parandalimit të aksidenteve rrugore, vetëm gjatë një jave ka vendosur 14 000 masa administrative drejtuesve të mjeteve për moszbatim të kodit rrugor, të cilët bëhen shkak për ndodhjen e tyre. Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, vetëm në segmentin rrugor të superstradës Tiranë-Durrës, janë vendosur gjithsej 136 masa administrative drejtuesve të mjeteve, kryesisht masa në drejtim të ecjes tej normave të lejuara të shpejtësisë si dhe për mosvendosje të rripit të sigurimit. Po ashtu, janë tërhequr 7 leje drejtimi të drejtuesve të mjeteve, ku nga konstatimi i bërë me radar të shërbimeve të policisë rrugore, shpejtësia e tyre ka qenë mbi 120 kilometër. Ndërkohë, gjatë kësaj jave, nga shërbimet e policisë rrugore janë vendosur rreth 14 000 masa administrative për ecje tej normave të lejuara për parakalim të gabuar, për mos përdorim të kaskës mbrojtëse, për mosvendosje të rripit të sigurimit, për mospërdorim të dritave, për përdorim të celularit gjatë dhënies së mjetit, për mos respektim të sinjalistikës rrugore etj. Kjo bazuar në Kodin Rrugor dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore që normojnë punën e shërbimeve te Policisë Rrugore, konkretisht në nenet 178, 75, 92, 52, 53 dhe 54. Policia e Tiranës, sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.

Shëtisnin në plazhin e Durrësit, grabiten dy kosovarët

Durrës – Dy kosovarë nga Prizreni, që janë duke kaluar pushimet në plazhin e Durrësit, janë qëlluar dhe grabitur nga persona ende të paidentifikuar. Burime policore bëjnë me dije se këta dy persona janë R. Thaçi dhe V. Spahia, që të dy nga Prizreni. Ata kanë rrëfyer se në kohën kur ishin duke bërë shëtitje në bregun e detit pranë hotel “Canal Grande” në lagjen 13 të Plazhit në Durrës, disa persona u kanë dalë përpara dhe pasi kanë ushtruar dhunë ndaj tyre, u kanë marrë sendet personale si telefon celular, varëse dhe byzylyk sermi, 100 euro dhe më pas janë larguar. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve pasi njëri prej tyre njihet fizikisht nga të dëmtuarit. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Durrësit për veprat penale të “Vjedhjes me dhunë” dhe “bashkëpunimit” parashikuar nga nenet 139 e 25 të Kodit Penal.

Plagoset në aksident i mituri kosovar, vinte për pushime në Shqipëri

Rubik – Një fëmijë nga Rahoveci i Kosovës i cili kishte ardhur për pushime në Shqipëri, ka mbetur i plagosur rëndë pas një aksidenti që ndodhi pranë Rubikut. Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës në rrugën kombëtare Rrëshen – Rubik, në vendin e quajtur “Kroi i Shtogut”. Policia pasi kreu verifikime në vendngjarje, konstatoi se 31 vjeçari Kadri Nerguti, lindur dhe banues në fshatin Gjegjan të rrethit Kukës, ka përplasur duke aksidentuar rëndë, 11-vjeçarin F. Ç., lindur dhe banues në Rahovec të Kosovës, me kombësi shqiptare dhe shtetësi Kosovare. I plagosuri, nxënës shkolle, kishte ardhur për të kaluar disa ditë pushime në Shqipëri. Në gjendje të rëndë për shkak të plagëve të marra, ai u dërgua fillimisht në spitalin e Rrëshenit dhe pas ndihmës së parë u transportua në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku aktualisht gjendet jashtë rrezikut për jetën. Duke folur për hetimin e aksidentit, policia tha se “u kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale si këqyrja e vendit të ngjarjes, u morën deklarime nga persona që kanë dijeni për ngjarjen dhe janë dhënë vendimet për kryerjen e ekspertimeve auto-teknik dhe mjeko-ligjor”. Ndërkohë, u vendos që i dyshuar si përgjegjës për aksidentin, 31-vjeçari Kadri Nerguti, të ndiqet penalisht në gjendje të lirë, për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›