E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, kryqi i Hitlerit mbi godinën e shkollës së mesme

 

BURREL/ HASAN PASHA

Një kryq nazist mbi ndërtesën e shkollës së mesme të qytetit të Burrelit.Pasditen e djeshme, në fasadën kryesore të shkollës së mesme, maturantë të kësaj shkolle, janë ngjitur në tarracë dhe kanë montuar në të gjithë gjatësinë e fasadës së përparme parulla dhe simbole të ndryshme.  Pasi kanë shkruar emrat e maturantëve të klasës së IV B, nuk kanë munguar dhe vizatimet e ndryshme si zemra, yje dhe më tutje kryqi i Hitlerit. Pak metra mbi flamurin tonë kombëtar vendosja e këtij simboli stonon shumë. Nuk dihet motivi pse është parapëlqyer nga një prej 36 maturantëve kryqi nazist për të mbetur kujtim në fotografitë dhe filmimet me rastin e përfundimit të 4 viteve shkollore. Në këtë objekt shkollor zhvillojnë mësim maturantët e dy shkollave, “Pjetër Budi” e “28 nëntori”, me afro 1800 nxënës të së gjitha klasave, përfshirë këtu dhe shkollën e mesme profesionale, pedagogjike. Paradite zhvillojnë mësim me orar të reduktuar nxënësit e shkollës “28 nëntori” dhe pasdite ata të “Pjetër Budit”, pasi objekti i kësaj shkolle është në rikonstruksion. Ky fakt ka bërë që drejtues e arsimtarë të shkollës, pasi mësuan lajmin pasdite prej gazetës sonë, fillimisht u justifikuan se matura për të cilën bëhet fjalë nuk është e shkollës së tyre. Më tej ata nuk kanë pranuar të komentojnë çfarë duan të tregojnë maturantët me këtë simbol në ballinën e një objekti shtetëror dhe të rëndësishëm. “Nuk është maturë e shkollës tonë”, kjo është shprehja standarde e drejtuesve të të dyja shkollave publike, duke mohuar që nxënësit e tyre të jenë autorë të kësaj pikture në mes të qytetit. Drejtori i Zyrës Arsimore të rrethit Matit, Flamur Stafasani tha për gazetën “Panorama” se ai nuk ishte njohur me rastin në fjalë dhe se nuk kishte dijeni se në fasadën e kësaj shkolle ishin vendosur banderola të mëdha me simbole të ndryshme, mes tyre dhe kryq të nazizmit. Stafasani sqaroi se do të interesohet shumë shpejt dhe do të ndërhynte për ndaljen e fenomeneve të tilla në objektet shkollore. “Nuk jam i informuar se në fasadën kryesore të kësaj shkolle janë vendosur banderola të ndryshme. Maturantët po festojnë për mbylljen e shkollës së mesme dhe nuk është e drejtë të vendosin dhe kryqe të nazizmit në shkolla. Kjo është e ndaluar me ligj. Do të ndërhyj me autoritetin që më jep detyra shtetërore që fenomene të tilla të marrin fund në shkollat e rrethit të Matit”, tha numri 1 i arsimit në këtë rreth. Mbrëmjen e djeshme, maturantët e shkollës së mesme të përgjithshme “Pjetër Budi”, pas ndërhyrjes së zyrës arsimore dhe drejtorisë së shkollës kanë pranuar të heqin me dëshirën e tyre banderolën “gjigante”, bashkë me kryqin nazist. Organizatorët e montimit të banderolës pasi e kanë shkulur atë nga faqja kryesore e shkollës janë ulur për ta riparuar me një simbol tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›