Vdes në aksident ish-kreu i PS
GJIROKASTER - Aksidentohet për vdekje ish-kreu i PS së Gjirokastrës, Resul Llogo. Ngjarja ka ndodhur në orën 11:30 në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë pranë kthesës së fshatit Mashkullorë. Llogo ishte në timonin e makinës “Benz” me targë GJ 46 77 A, ndërsa udhëtonte drejt Gjirokastrës pasi kishte marrë pjesë në një ngushëllim në fshatin Kardhiq. Makina është përplasur me bordurën e betontë të kanalit ujitës përbri serave të fshatit, duke përfunduar në fushë. Policia konfirmon se shkaku i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të makinës nga ana e viktimës. Dëshmitarët në vendngjarje janë shprehur se automjeti është përplasur fillimisht me një masiv inertesh anës rrugës dhe më pas ka përfunduar në krahun e djathtë të fushës në këtë aks nacional. Resul Llogo, 65 vjeç mbante gradën Prof.Dr dhe ka qenë një ndër intelektualët më aktivë në jetën politike në jug të vendit. p.n